Për Ish-drejtuesin e SHISH, Fatos Klosi ka komentuar sot për emisionin ‘Shqipëria live’ luftën që ka plasur në Ukrainë. Ai u shpreh se bisedimet mes delegacionit ukrainas dhe rus duhet të ishin bërë përpara se te fillonte lufta, ndërsa shtoi se ky konflikt nuk po sjell asnjë të mirë për të dyja palët.
Klosi tha se Ukrainës “po i trokiste” lufta në derë, por megjithatë sërish u kap në befasi dhe e papërgatitur nga sulmi rus.
“Situata është më shumë se dy muaj e tensionuar, po kohët e fundit u bë edhe më keq. Sot është raundi i dytë i bisedimeve, por bisedimet duhet të ishin bërë më parë, pasa se të fillonte lufta, sepse janë dy vende që përpara dy vitesh kanë qenë bashkë. Janë dy popuj që nuk janë shumë larg njeri- tjetrit. Kjo është kryesisht çmenduria e një personi. Ka institucione që mund ta ndalin, por Putin nuk po e përballojnë dot. Ukraina ishte e papërgatitur, pasi filloi lufta kanë bërë molotovë. Ukraina e kishte rrezikun në prag të derës, duhet të ishin përgatitur, i ka lajmëruar me kohë SHBA.”, tha ai.
Klosi tha se liderët e dy vendeve bëjnë mirë “t’i thërrasin mendjen” dhe të mbyllin gjithçka ka ndodhur mbrëmjen e sotme, në raundin e dytë të bisedimeve.
“Asnjëra palë nuk i donte kaq njerëz të humbur. Rusët po humbin personalitetin e tyre në të gjithë botën. Putin qëndron mbi institucionet! Shpresoj në bisedimet. Shpresoj t’i thërrasin mendjes dhe të kuptojnë se lufta nuk është zgjidhje! As njërit dhe as tjetrit nuk po i shkon ashtu siç donin. Ukrainasit menduan se s’do sulmohen, ndërsa rusët se prisnin se ishin kaq të fortë.”, tha ai.
Sipas tij Zelensky po e përdor këtë periudhë lufte për propagandë dhe asgjë më shumë.
“Zelensky në kohën e paqes ka qenë 0, tani në kohë lufte me mjeshtërinë e tij si aktor ka qenë i zoti, mbajti fjalime emocionuese.”, tha ai.