Drejtori i Agjencisë Kombëtare Bërthamore, Fatos Klosi i ftuar në një intervistë televizive u shpreh se lufta në Ukrainë nuk do shkonte në një nivel të përdorimit të armëve bërthamore sepse do të ishte fundi për të gjithë.
Lidhur me veprimet e Putin, Klosi tha se presidenti rus po përpiqej që të paktën të garantonte neutralitetin e Ukrainës dhe shtoi se në rast të një “teprimi” nga ana e këtij të fundit, do të ndërhynte vetë ushtria ruse.
Klosi: Mbase Putin ka ende forcë atje, por është edhe ushtria që është shumë e rëndësishme. Pra është një forcë që nëse gjendja ekonomike apo mirëqenia vazhdon të bie, do fillojnë protestat. Ai këtë gjë mbase nuk e ka pritur. Tani kanë dalë të dhëna të tjera ku thuhet se Putinin e kanë gënjyer, efektivët e shërbimit sekret duke i thënë se Ukraina është e dobët dhe e lehtë për t’u marrë. Përveç luftës në terren, është edhe lufta e informacionit. Të dyja palët japin shifra të ndryshme për viktimat.
Të vërtetën do ta marrim vesh kur të qetësohen gjakrat. Unë uroj që sa më shpejt të arrihet një armëpushim sepse nuk ka zgjidhje tjetër.
Pyetje: Rusia nuk lejon praninë e NATO-s në vendet e lindjes, sa ka ndikuar kjo në këtë konflikt?
Klosi: Putin e ka thënë copë që të riformonte Bashkimin Sovjetik. Ukraina ka qenë vendi i dytë më i madh pas Rusisë. Ukraina ka qenë në shumë shekuj brenda një mbretërie me rusët. Rusët gjithmonë e kanë quajtur Ukrainën më afër. Bjellorusia më ndryshe sepse ka qenë më afër Gjermanisë. Mbase edhe Putin prandaj u kap me Ukrainën sepse ishte e fundit që po i ikte nga dora. Ai të paktën kërkon neutralitetin e Ukrainës.