Gjithë bota është zgjuar sot e alarmuar pasi Rusia ka sulmuar centralin bërthamor më të madh në Europë, në qytetin Zaporizhzhia të Ukrainës.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka zhvilluar një telefonatë urgjente me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me të cilin ka folur për situatën “shumë shqetësuese” në Zaporizhzhia. Mes të tjerash, Johnson ka kritikuar Presidentin rus, Vladimir Putin, për “veprime të pamatura”, që kërcënojnë sigurinë në të gjithë Evropën.
“Të dy liderët ranë dakord që Rusia duhet të ndërpresë menjëherë sulmin e saj ndaj termocentralit dhe të lejojë aksesin për shërbimet urgjente në termocentral”, tha zyra e kryeministrit Johnson.
Ndërkohë, pas telefonatës me Zelenskyn, kryeministri Johnson ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB, në orët e ardhshme të kësaj të premteje.