Categories
Uncategorized

Çmendet tregu i karburanteve, 1 litër naftë 240 lekë, në 15 min ndryshoi me 32 lekë, flasin qytetarët: Erdhi koha e biçikletave, në Fier dhe Berat rritet çmimi i biletës së transportit urban

Vendi ynë po përballet me një rritje të shfrenuar të çmimit të karburanteve, ditë pas dite çmimet po pësojnë ndryshime, këtë të shtunë shoferët në pikat e karburanteve janë përballur me çmime më të larta , ku vetëm një litër naftë tregtohet me 230- 240 lekë për litër.

Siç shikonin në këtë kupon, më datën 29 shkurt nafta kushtonte 190 lekë për litër 5 ditë më pas, sot një litër naftë në Tiranë kushton 230 lekë, 40 më shumë

Gazetari Ermal Qori, zbuloi se në 15 minuta, çmimi i një litër nafte ndryshoi nga 198 lekë në 230 lekë, 32 lekë më shumë.

Gazetari: Deri para 15 minutash sa ishte nafta?

Shitësi: “190 lekë”.

Gazetari: Po tani sa vajti?

Shitësi: “230 lekë”.

Shfrenimi i çmimeve të karburanteve, i ka alarmuar qytetarët që jo vetëm nuk dinë shkakun nga vjen ky shtrenjtim, por thonë se kemi të bëjmë me një abuzim nga tregtarët.

“Është fatkeqësi e madhe për ne shqiptarët. Tani vetëm kur të marrim njerëzit e shtëpisë do e përdorim makinën dhe asgjë tjetër.” tha një qytetar.

“Erdhi koha e biçikletës.”, tha një tjetër.

“Ça do e përdorim makinën, pa lekë , pa punë ,pa asgjë”, u shpreh një tjetër.

Por në një kohë që e shtuna shkaktoi zemërim për naftën, vlerat e larta janë reflektuar edhe në çmimet e ushqimeve.

Një kg domate në tregjet e Tiranës, varion 240 lekë deri në 300 mijë lekë, dyfishi i vlerës të një viti më parë në të njëjtën periudhë

Besnik Sula ish-profesor, sot pensionit në tregun e fruta-perimeve tek ish Uzina Dinamo në Tiranë, është në dilemë nëse i dalin llogaritë për të bërë pazarë apo jo.

“Unë jam profesor pensionist dhe po mendoj çfarë të blej. Shtrenjtë është”, tha ai.

Shumë blerës për situatën e krijuar por vrapojnë pas produkteve më të lira edhe pse jo të cilësisë së mirë.

“Rendim pas atyre kalbësirave dhe marrim, çfarë të bëjmë”? U shpreh një person.

“70-80% të shtrenjta janë.”, tha një qytetar.

“Na ndihmojnë kalamajtë”- shprehet një tjetër pensionist.

Çmimi i karburantit arrin në 230 lekë në të gjithë vendin!

Në Fier e Berat rritet çmimi i biletës së transportit urban

Çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm edhe në qytetet e tjera të vendit.

Në Lezhë, një litër naftë u shit këtë të shtunë me 230 lek për litër,40 lek më shumëse një ditë më parë…

Drejtuesit e mjeteve dhe taksistët paralajmërojnë edhe rritje të çmimit të biletës, nëse nuk ndërhyhet për frenimin e këtij fenomeni.

“Po normalisht që po abuzojnë pikat e karburantit se dje në orën 5 pasdite ishte nafta 186 lekë, sot shkoi 230 lekë. Normalisht që duhet të hyj shteti, shteti duhet të ketë kontrolle, po ça ka me bo shteti”,- tha një qytetar.

“E përballueshme ajo s’është fare, zero”,– tha një tjetër.

“Ditën e hënë si shoqatë do t’i bëjmë kërkesë këshillit bashkiak që të vendosi çmimin e ri të transportit urban”.

Në Fier, rritja e çmimit të naftës është reflektuar me rritje të menjëhershme të çmimit të biletës.

Një fatorino i linjës Fier-Roskovec, tregon se ky destinacion kushton 20 lekë më shumë se një ditë më parë.

Ndërsa aboneja ka shkuar në 2 mijë lekë, nga 1800 që ishte.

“Bileta ishte rritur 200 lekë nga 800 që ishte. Është rritur nafta, është rritur dhe bileta”, -u shpreh një qytetare.

Edhe në Berat një litër naftë dhe benzinë u blenë me nga 230 lekë, ndërsa gazi arriti në 95 lekë. Kjo ka çuar edhe në rritjen e çmimit të biletës drejt rrethinave të qytetit por edhe Tiranës.

“Çmimi i biletës u rrit në 5000 lekë sepse u rrit dhe çmimi i naftës, ku një litër naftë u ble me 230 lekë”,-thotë një drejtues mjetesh.

Ndërkaq, në qytetin e Elbasanit, Sarandës, Durrësit, por edhe në fushë-Krujë ka pasur rritje të çmimit të karburantit deri në 230 lekë, por biletat vijojnë të mbajnë të njëjtin çmim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *