Presidenti Vladimir Putin po tenton të përfshijë Ballkanin në luftën në Ukrainë . Putin është shprehur ditën e djeshme se po shtohen mercenarët nga vendet e treta që marrin pjesë në konflikt. “Ne kemi parë gjithnjë e më shpesh paraqitjen e mercenarëve nga vendet e treta, duke përfshirë nga Shqipëria dhe Kroacia, luftëtarë kosovarë, madje edhe xhihadistë me përvojë në luftimet në Siri”, shprehet presidenti Putin. Këtë shqetësim, Putin ia komunikoi kancelarit gjerman, Olaf Schoz, me të cilin zhvilloi një bisedë telefonike që ka zgjatur një orë. Pika e vetme e diskutimit ka qenë lufta në Ukrainë.
Reagon Olta Xhaçka dhe Yuri Kim
Megjithatë, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka dhe Yuri Kim i përgjigjet Putin duke i thënë se nuk ka mercenarë shqiptarë që luftojnë në Ukrainë.”Nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë! Kjo është një gënjeshtër që Moska vazhdon ta përsërisë pa turp! Thënë kështu, Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës. Zoti i bekoftë”, shkruan Xhaçka. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka ripostuar citimin e ministres Olta Xhaçka e cila refuzon deklaratat e presidentit Putin se janë shtuar mercenarët shqiptarë në Ukrainë. “Fushata ruse e dezinformimit është e tepruar. Këto janë gënjeshtra të krijuara për të mbjellë dyshime dhe për të larguar vëmendjen nga e vërteta se Rusia ka pushtuar Ukrainën dhe se është përfshirë në një sulm të paramenduar, të paprovokuar, të pajustifikueshëm ndaj një kombi tjetër sovran”, shkruan Yuri Kim. Ligji shqiptar e ndalon një ushtar nga Shqipëria të marrë pjesë në një luftë jashtë vendi. Kujtojmë që mediat ruse disa ditë më parë cituan gjatë javës ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov të ketë thënë se autoritetet ruse po punojnë për të verifikuar informacionet për “mercenarët” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja që shkojnë në Ukrainë. “Kosova dhe disa pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen vatër krimi. Ka terroristë, tregtarë droge. Mercenarët rekrutohen atje për konflikte ushtarake të nxitura nga Shtetet e Bashkuara…”, citohet të ketë thënë ministri Lavrov.
Rinisin bisedimet Ukrainë-Rusi
Presindenti Vladimir Putin i tha kancelarit gjerman Scholz se një raund i tretë i bisedimeve midis përfaqësuesve rusë dhe ukrainas do të zhvillohej këtë fundjavë, sipas deklaratës gjermane. Gjatë bisedimeve të armëpushimit të enjten, negociatorët rusë dhe ukrainas ranë dakord të krijojnë korridore humanitare në pjesët e Ukrainës të goditura keq nga luftimet. Ishte hera e dytë që ata takoheshin që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Të gjitha raundet e deritanishme kanë dështuar për të ndalur luftimet. Mikhailo Podolyak, një negociator ukrainas i përfshirë në bisedime dhe një këshilltar i presidentit Volodymyr Zelenskyy, tha se bisedimet do të vazhdojnë të shtunën ose të dielën. “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm,” u tha ai gazetarëve.
Kancelari gjerman kërkon fundin e luftës
Kancelari gjerman Olaf Scholz i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin t’i japë fund luftimeve në Ukrainë dhe të hapë korridoret humanitare. Gjatë telefonatës, Scholz “i bëri thirrje udhëheqësit rus që të ndërpresë menjëherë të gjitha armiqësitë dhe të lejojë aksesin humanitar në zonat e luftuara”, tha në një deklaratë zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit. Të dy ranë dakord të zhvillojnë bisedime të mëtejshme së shpejti, shtoi Hebestreit. Gjithashtu Scholz, në një intervistë televizive paraqiti në mënyrë të detajuar pozicionet e tij ndaj luftës në Ukrainë. Ai kërkoi armëpushim në luftën e Ukrainës dhe njëkohësisht theksoi, se nuk duhet të ketë konfrontim direkt të NATO-s me Rusinë. Scholz tha se kjo mund të sillte një përshkallëzim dramatik të kësaj situate të vështirë në Ukrainë duke bartur gjithashtu rreziqe të mëdha. “Ndaj tani nuk do të ketë vendime, që mund të çojnë në pjesëmarrje ushtarake të shteteve të NATO-s në këtë konflikt.”