Ish-deputeti i PD Gazmend Oketa ka komentuar situatën politike brenda Partisë demokratike dhe rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit. Oketa shprehet se zgjedhjet e 6 marsit treguan paaftësinë e Bashës dhe se tashmë ai ka humbur mbështetjen e demokratëve dhe se duhet të japë dorëheqjen dhe të nisë një riorganizim i partisë demokratike.
“Pak a shumë ishte një rezultat i pritshëm. Numri i votuesve ishte i vogël, gjë që tregon një mosinteresim të qytetarëve. Fakti që opozita hynte e përçarë në dy kampe, bëri që të kishte më shumë interes kush kishte më shumë mbështetje në strukturat e partisë demokratike dhe opinionin publik. Basha bëri një analizë të humbjes që lë shumë për të dëshiruar, ishte një analizë e cekët. Më vjen keq për Bashën, pasi duket që ka humbur tërësisht njohjen e realitetit, duket sikur jeton në një botë joreale. Gazetarët i bënin pyetjet dhe insistonin te dorëheqja, por duket se edhe pas këtij rezultati Basha nuk ka ndërmend të dorëhiqet. Edhe nënkryetarët e partisë duhet të marrin përgjegjësit. Rezultati i këtyre zgjedhjeve tregoi që Basha nuk e ka më mbështetjen në parti. Basha ndodhet në këtë situatë për shkak të paaftësisë së tij për të drejtuar partinë demokratike. Nuk mund të fshehësh paaftësinë duke thënë gjithmonë m’i vodhën votat”, u shpreh Gazmend Oketa në Shqip.