Categories
Uncategorized

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Vuçiç kërcënon Kosovën që të mos tentojë të anëtarësohet në NATO

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka shtuar dozën e kërcënimeve, pas kërkesës së kryeministrit Albin Kurti për përshpejtimin e procedurave për pranimin e Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) .Vuçiç, deklaroi ditën e djeshme, se nëse do të ketë një përshpejtim të procedurave për pranimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare, do të kenë dhe përgjigjen e vendit të tij. Ai ka paralajmëruar se do të publikojë emrat e vendeve që tërhoqën njohjen e pavarësisë. “Ditën që do të pranohen në ndonjë organizatë ndërkombëtare do të thotë se e kanë përmbysur marrëveshjen e Uashingtonit dhe atë ditë do të mësojnë emrat e disa vendeve që e tërhoqën njohjen e pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë”, tha Vuçiç. Presidenti i Serbisë shtoi se për shkak të konfliktit në Ukrainë, shumë vende po e shohin situatën globale si një mundësi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ai tha se të shumtë janë ata të cilët dëshirojnë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Këto komente Këto komente kreu i shtetit serb i bëri gjatë një vizite në Leskovc, kur u pyet se çfarë ndodhi me notën e protestës ndaj Turqisë.

Kosova kërkon të hyjë në NATO

Kosova vazhdon të insistojë për anëtarësimin e përshpejtuar në NATO. Kërkesa e Ministrisë së Mbrojtjes ka ardhur për shkak të rrezikut që sjell në rajon agresioni rus në Ukrainë. Autoritetet drejtuese të Kosovës bënë thirrje që Kosova të pranohet në NATO, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri, sidomos pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “anëtarësimi i Kosovës në institucionet euro-atlantike është më i domosdoshëm se kurrë”. Thirrje për anëtarësim të Kosovës në NATO, në të njëjtën kohë me anë të një letre e bëri ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, duke marrë shkas edhe nga qëndrimi i fundit i Serbisë, e cila refuzoi të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas sulmit të kësaj të fundit në Ukrainë. Ministri Armend Mehaj kërkoi edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Kanadaja që të reagojnë ndaj deklaratave të Serbisë lidhur me zhvillimet e fundit në Ukrainë. Gjithashtu kryeministri Albin Kurti shprehu shqetësimin se Ballkanit i kanoset një rrezik i madh, ndërsa theksoi se NATO duhet të jetë më vigjilente. “Mendoj se Ballkani Perëndimor është në rrezik edhe më të madh se vendet baltike dhe Moldavia, sepse atje Rusia do të kishte ndarë një pjesë të forcës së saj ushtarake. Në rastin e Ballkanit Perëndimor nuk do të duhej ta bënte fare këtë, sepse Serbia mund të jetë vlerë e shtuar e agresionit të tyre ushtarak. Ne do të donim të anëtarësohemi në NATO sa më shpejt të jetë e mundur. NATO duhet të jetë shumë më vigjilente se sa është tashmë,” tha Kurti. Ai shtoi se Ukraina po përballet me të njëjtin agresion që Kosova hasi kur sulmohej nga forcat jugosllave dhe serbe. “Ky pushtim rus, ky agresion ushtarak nuk është më politik. Është gjenocid. Shihet qëllimi genocidal që rezulton në aspekte logjistike dhe demografike. Kur shoh se çfarë po ndodh në Kiev, duket se kjo është një tjetër Sarajevë në përgatitje”, tha Kurti.

Vuçiç si Putin

Përpara sulmit në Ukrainë, Presidenti Vladimir Putin, ashtu si Vuçiç, paralajmëroi Perëndimin që të mos kalonte “vijat e kuqe” të Rusisë. Pra, cilat ishin këto vija të kuqe? Një prej tyre ishte ndalimi i zgjerimit të NATO-s më tej në lindje dhe vendosja e armëve në vendet fqinje që mund të kërcënonin Rusinë. Gjithashtu, Putin kërcënoi hapur se pranimi i Finlandës ose Suedisë në aleancën e mbrojtjes NATO do të shkaktonte një përgjigje serioze nga Moska. Gjatë një konference për shtyp në Moskë, Maria Zakharova kërcënoi nëse ndonjë nga 2 vendet do të kërkonte të bashkohej me aleancën e sigurisë, “do të kishte pasoja të rënda ushtarake dhe politike që do të kërkonin që vendi ynë të ndërmarrë hapa reciprokë“, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *