E fundit ka qenë Jorida Tabaku, që i ka kërkuar Lulzim Bashës gjatë mbledhjes së grupit të bëjë një hap pas për ti hapur rrugë zgjidhjes në krizës në PD, ku me stilin e saj, pa një qëndrim të fortë, ajo është bërë e fundit nga katër nënkryetarët Bashës që po kërkon largimin e tij.
“Nuk jam në politikë për karrige. Jemi për të përfaqësuar njerëzit. Unë jam gati të ik dhe nga deputete. Nuk e konsideroj pozicionin si privilegj, por si përgjegjshmëri. Nuk është karriera individuale në lojë, as e Bashës, as e Joridës. Eshtë PD në lojë. Besoj kryetar që ju duhet të bëni një hap pas”.
Njësoj me të edhe Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, me gjysëm zëri ka folur për tërheqje duke e lidhur atë me të njëjtin akt nga Berisha.
Bardhi është shprehur se demokratët duhet t’i qëndrojnë vendimit për përjashtimin e Sali Berishës, pas shpalljes së tij non grata.
“Një hap pas i juaj që merr me vete edhe Sali Berishën i hap rrugën një procesi që është shansi i vetëm për t’i dhënë mundësi PD. Nuk mund të improvizojmë. Sepse rrezikojmë të copëzohemi akoma më shumë”.
Më parë po gjatë mbledhjes së kryesisë, Enkeled Alibeaj kishte bërë të njëjtën gjë me tone më të ashpra.
Gjatë mbledhjes, Alibeaj i ka ofruar Bashës dy alternativa për të dhënë sinjale bashkimi.
Ai ka thënë se tre pjesë duhet të bashkohen dhe që kjo të ndodhë Basha dhe Berisha duhet të bëjnë një hap pas.
“Berisha nuk ka më punë në PD, por duhet të tërhiqesh edhe ti edhe ai. Ne duhet t’u japim sinjale bashkimi. Vendimi yt kishte qëllim të mirë por nuk ia dolëm. Kam dy alternativa. E para nuk e shoh dot PD të ngjitet pas Sali Berishës. Nuk është alternativë. Merreni si të doni. Emocionale, personale. Ne duhet të japim sinjale bashkim“.
Në fillim të javës, ishin dy nënkryetarët e tjerë Agron Gjekmarkaj dhe Grida Duma, që e filluan me kërkesat për dorëheqje, madje kjo e fundit i rriti akuzat duke kërkuar edhe përjashtimin e Bashës nga grupi parlamentar.
Agron Gjekmarkaj, duke dhënë personalisht dorëheqjen menjëherë pas humbjes së 6 marsit, tha: “Në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, Partia Demokratike pësoi një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi. Përtej çdo rrethane kundër nesh, sado të dukshme e turpëruese, ne nuk mund të akuzojmë askënd pos vetes. Çdo justifikim është i papranueshëm! Unë, prej dy muajsh jam njëri prej katër Nënkryetarëve të PD-së dhe jam i gatshëm të mbaj përgjegjësinë time. Nuk do t’i shmangem asaj për asnjë arsye apo interes që bie në kundërshtim me vullnetin e shoqërisë dhe parimet e mia etike”.
Ndërsa Grida Duma, fajësoi direkt Lulzim Bashën për dështimin e PD- së zgjedhjet e 6 marsit.
“Është dëshpërues rezultati, në një menyrë apo një tjetër i papritur. Pa diskutim duhet të merren vendime të rëndësishme dhe përgjegjësi duke përfshirë edhe kryetarin e partisë”, – ishte mesazhi i saj.
Kështu me rreth 16 deputetë kundër dhe me të gjithë nënkryetarët që i kërkojnë të zbrapset, Basha është i marrë fund. Mjaftuan vetëm 6 muaj pa mbështetjen e Berishës për ta shndërruar ata nga lider në hiç./Syri tv