Deputeti i Partisë Demorkatike, Agron Gjekmarkaj ka vijuar me kritikat në adresë të kreut të PD, Lulzim Basha, ndërsa ka dhënë edhe zgjidhjen se si partia më e madhe opozitare duhet të dalë nga kriza. Deputeti Gjekmarkaj ka publikuar në media e rrjetet sociale një pjesë të fjalës së tij që ka folur gjatë mbledhjes së grupit parlamentare këtë të shtunë, ndërkohë që thekson se kryedemokrati Basha duhet të presë “nyjën gordiane” dhe të dorëhiqet nga drejtimi i Partisë Demokratike. “Z Basha kredibiliteti juaj është masakruar. Përgjegjësi kemi të gjithe , unë e mora timen mbi supe. Ju jeni lideri , ju duhet ta prisni nyjen gordiane. Ju duhet të dorehiqeni por duhet ta bëni këtë duke ja kërkuar edhe Sali Berishës. Nje komision i përbashkët me personalitete mes nesh dhe foltores të ngrihet për ta pajtuar Partinë Demorkatike dhe çuar drejt zgjedhjes se Liderit me garë! SB mbase nuk e pranon po le ta mbajë ai barrën e refuzimit! PD është këtu prej SB dhe prej jush ndaj ajo duhet ta gjejë zgjidhjen përtej të dyve”, deklaroi ai. Më tej zoti Gjekmarkaj shprehet se edhe nëse ish-kryeministri Sali Berisha nuk lëshon pe, sipas tij, grupi parlamentar demokrat ka tagrin të veprojë për të zgjidhur situatën. “Edhe nese SB nuk e pranon këtë ju duhet të dorehiqeni dhe ky grup parlamentare të gjeje zgjidhje politike e të menaxhojë partinë! Mes SB dhe LB unë zgjedh ju zoti Basha po kjo nuk mjafton më! Në fushatë ndjeva zemërimin dhe përbuzjen e njerëzve! Ajo duhet lexuar me përgjegjshmëri. Njerëzit kanë nevojë për një mit negativ për të justifikuar zemërimin e tyre. Kundërshtarët tuaj ja kanë dalë t’ ju shndërrojnë ju në një mit të tillë. Ndaj kjo pengese duhet hequr. Kjo pengesë konsideroheni ju”, nënvizoi deputeti i Partisë Demorkatike, Agron Gjekmarkaj.
Categories
Gjekmarkaj: Basha duhet të presë “nyjën gordiane” dhe të dorëhiqet nga drejtimi i PD, të ngremë një komision pajtues në PD
