Categories
Uncategorized

Sali Berisha kërcënon Lulzim Bashën nga Elbasani dhe i kujton se i ka ditët e numëruara, Sali Lusha nis sulmet ndaj selisë së PD

Pas rezistencës së liderit demokrat, Lulzim Basha për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë, ithtarët e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë mësyrë në selinë e Partisë Demokratike. Ish-truproja e Sali Berishës, Sali Lusha ka qenë dje në selinë e Partisë Demokratike mes anëtarëve të degës 8 të Partisë Demokratike në Tiranë për të kërkuar largimin e liderit demokrat, Lulzim Basha. Lusha së bashku me Indrit Hoxhën, i cili kishte ardhur për të përfaqësuar demokratët e degës 8 kanë kërkuar që lideri demokrat Lulzim Basha të largohet për t’i hapur rrugë zgjedhjeve dhe bashkimit të demokratëve. Lusha është një nga mbështetësit më të flaktë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe është gjithmonë i pranishëm në aktivitetet e tij. Dje teksa ka hyrë në selinë e Partisë Demokratike, dera e jashtme e së cilës ka qenë e hapur Lusha ka përshëndetur me dy gishta. Nga ana tjetër, Indrit Hoxha ka folur para selisë blu për mediat dukë thënë se Basha duhet që të largohet dhe të jap dorëheqjen nga drejtimi partisë. Ai theksoi, se Basha duhet që të dorëzojë logon e PD dhe të largohet nga drejtimi i partisë.“Lulzim Basha është shkarkuar nga Kuvendi. Detyra e tij tani është që të largohet nga zyrat e selisë së Partisë Demokratike. Të dorëzojë logon e konfiskuar që është marrë peng nga shumë njerëz, jo vetëm Edi Rama. Të hapë rrugën për zgjedhjet në Partinë Demokratike sipas standardit një anëtar, një votë”, tha ai. Ndër të tjera, Indrit Hoxha u shpreh, se blofet dhe fasadat që po luhen në Partinë Demokratike po e dëmtojnë atë. Ai theksoi, se anëtarët e njësisë 8 kanë votuar për shkarkimin e liderit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.“Blofet dhe fasadat që po luhen në selinë e Partisë Demokratike e dëmtojnë atë. Këta janë anëtarët e njësisë 8, që e kanë shkarkuar Lulzim Bashën dhe kërkojnë hapjen e garës dhe procesit për këdo që kërkon të ballafaqohet me votën e anëtarësisë”, tha Hoxha.

Berisha sulmon Bashën

Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha ka kërcënuar liderin demokrat Lulzim Basha. Nga Elbasani ku uroi Ditën e Verës, Sali Berisha ka pasur edhe një mesazh për Lulzim Bashën dhe të gjithë përkrahësit e tij, ku tha se bashkimi i vetëm i demokratëve duhet bërë përmes votës së lirë. Deklaratat e Bashës duke ia faturuar humbjen më 6 mars Berishës, ish kryeministri i është përgjigjur se kjo është një përplasje e stisur mes blofit dhe votës së lirë, por që në fund Bashës do i mbes blofi në dorë.“Uroj qytetarët e Elbasanit se mbajtën gjallë këtë festë të mrekullueshme dhe sot Elbasani me të drejtë konsiderohet kryeqyteti i festës. Uroj mbarë shqiptarët që festa e Ditës së Verës është festa e shndërrimeve të mëdha, e lulëzimit, e shpërthimit të burimeve, e çeljes së gjithçkaje të mirë. Kjo do jetë pranverë e përpjekjeve të mëdha të demokracisë për ngadhënjimin e saj. Absolutisht, mesazhi më i shkëlqyer është bashkimi i demokratëve rreth votës së lirë dhe idealeve të tyre të lirisë. S’po mbroj asgjë tjetër përveç votës së lirë. E vërteta është që ka një përpjekje për të stisur një përballje mes votës së lirë dhe blofit, por atyre që e bëjnë këtë do t’u lëmë blofin në dorë, pasi i kanë ditët e numëruara”, tha Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *