Categories
Uncategorized

14 vite nga Gërdeci, Frrok Çupi akuzon familjen “Berisha” si përgjegjëse të kësaj tragjedie, ish-kryeministri të japë llogari para drejtësisë, SPAK të veprojë

Janë shënuar 14 vite nga tragjedia e Gërdecit. Familjarët e 26 viktimave të tragjedisë së Gërdecit janë mbledhur ditën e djeshme në qendër të fshatit te memoriali, ku janë skalituar emrat e atyre që humbën jetën në atë tragjedi. Një ritual që përsëritet për të 14-in vit radhazi, por dhimbja u shtohet edhe më shumë, pasi përpara drejtësisë nuk është askush, e ndërsa as këtë vit, atje nuk ndodhej asnjë përfaqësues politik. Zamira Durdaj, e ëma e 7-vjeçarit Edison Durdaj, që gjeti vdekjen në këtë tragjedi, në një intervistë televizive u shpreh, se nga nesër do të interesohet në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion për të marrë një përgjigje për hetimet e deritanishme. Ajo thotë, se gati një dekadë e gjysmë pas shpërthimit tragjik, asgjë nuk është zgjidhur dhe asnjë fajtor nuk gjendet pas hekurave.“Nuk kam asnjë informacion se çfarë bëhet me këtë çështje, mbas kësaj dite do të drejtohem në gjykatë të marr vesh se çfarë bëhet dhe se ku ndodhet kjo dosje. E pres edhe një vendim nga SPAK se çfarë vendimi do të marr. E di që është një dosje voluminoze dhe besoj se i kam dhënë edhe kohën e mjaftueshme”, tha ajo.

Çupi akuza Berishës për Gërdecin

Ndërkohë, analisti dhe gazetari Frrok Çupi, ka akuzuar familjen Berisha se është përgjegjëse për tragjedinë e Gërdecit. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se Gërdecin e dogjën dhe e vranë qeveria e asaj kohe dhe familja e ish-kryeministrit Sali Berisha. Çupi theksoi, se Gërdecin e dogjën si tempullin e Artemisë në lashtësi.“Tempulli është vetë Gërdeci, fshat pranë Tiranës, i strukur në një rrudhë kodrinash, si një qenie e frikësuar nga gjuetarët. Sikur fshati ta dinte se një ditë do ta digjnin… Siç dogjën tempullin e Artemis në lashtësi, në epokën e broncit. Ai ishte ngritur në qytetin Efe të Turqisë, në respekt të perëndeshës Artemis. I vuri zjarrin një nga njerëzit e pushtetshëm të kohës, Herostratus. Këtu nis harresa e parë e historisë për drejtësi. Gjykatësit vendosën si ndëshkim që emri i zjarrvënësit të mos përmendet kurrë më nga askush. Gërdecin e dogji dhe e vrau qeveria dhe familja Berisha, por mediat, feja dhe politika harrojnë viktimat dhe mbajnë në gojë Berishën”, tha ai. Ndër të tjera, Çupi u shpreh se në zgjedhjet e 6 marsit banorët e Gërdecit kanë votuar në favor të Berishës. Ai theksoi, se Berisha duhet që të vihet para drejtësisë.“Të votohet në Gërdec në favor të Berishës, vetëm 14 vjet pasi ky e groposi, e dogji dhe e bëri mish për bishat jetën e njerëzve, kjo do të ishte si shembje e perëndive në Efes në atë kohë. Sot Gërdeci ka 5 votues më shumë se numri i viktimave, 27, nesër mund të ketë 5-fish më shumë; kjo të trondit. Prandaj duhen harruar 32 votuesit e zjarrvënësit. Një ditë në vit, të paktën nuk duhet të përmenden. Kjo ditë mund të jetë edhe 15 marsi. Atë ditë populli i fshatit, si në procesion kujton viktimat dhe i vjen rrotull “tempullit” shtëpi më shtëpi; por në shtëpitë e 32 vetëve nuk troket. Me këtë harresë do të mbetet e gjallë kujtesa e drejtësisë”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *