Ish-kreu i SHISH Fatos Klosi ka komentuar protestat që po mbahen në vendin tonë kundër rritjes së çmimeve. Klosi shprehet se ai e njeh Berishën në kohë dhe flet me bindje se Berisha fshihet pas këtyre protestave. Sipas Fatos Klosit, Berisha e ka si strumbullar politik protestën kur është në opozitë.
“Unë nuk kam asnjë dyshim që pas kësaj proteste është Berisha. Berisha e ka si strumbullar politik protestën kur është në opozitë. Berisha sapo ndjeu që ishte më mirë se Basha në zgjedhjet e 6 marsit e tha tani fillojmë protestat. Berisha kapi momentin dhe filluan protestat. Berisha është për arsyet e veta në këtë protestë. Berisha kishte 8 vjet që po e mbështeste pafund Bashën, edhe pse tani thotë që e ka kritikuar dhe i ka thënë të japë dorëheqjen më parë, por nuk besoj që Basha do ta përballonte dot nëse Berisha do ia kishte kërkuar. Të gjithë në PD e thoshin nën zë që të luftojmë Bashën i bie të merreshe me Berishën dhe kur Berishës Basha i doli kundër interesit të tij, e shiti dhe nuk e mbështeti më. Energjitë që Berisha ka sot që u dukën me Foltoren ia jep gjithë interesi që ka për veten e tij. E njoh shumë mirë Berishën në kohë, edhe në protestat sot, mbase Berisha nuk është marrë konkretisht, por ata që kanë dalë në protestë janë fryma që ai dha gjatë gjithë foltores, që ne nuk do të jemi të qetë deri sa të marrim pushtetin dhe që ai do të bëhet kryeministër. Lufta politike në Shqipëri bëhet nëpërmjet protestave, nëse nuk protestojmë dhe nuk e trembim Ramën, ai nuk do t’ja dijë”, u shpreh Fatos Klosi në “Shqip”.