Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shfrytëzoi takimin e djeshëm me Përfaqësuesin e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell për të sulmuar Rusinë dhe Brukselin lidhur me protestat e fundit në kryeqytet për rritjen e çmimeve, vonesën e dhënies së përgjigjes pozitive nga BE për hapjen e negociatave për integrim dhe trajtimin e diferencuar të vendit tonë nga Brukseli. Sipas shefit të qeverisë shqiptare, Rusia po shfrytëzon protestat e 6 ditëve të fundit në vendin tonë kundër rritjes së çmimeve së karburantit, energjisë dhe produkteve të shportës me qëllim dobësimin e qeverive europiane që mbështesin Ukrainën. Në vazhdim të fjalës së tij, Rama kërkoi ndihmën e BE që të neutralizojë këtë armë që po përdor Kremlini për të përhapur ndikimin e vet në rajonin tonë. Ai hodhi poshtë akuzat e Moskës se Shqipëria po furnizon me mercenarë Ukrainën në luftë kundër saj, madje theksoi se këto sulme ndaj shtetit shqiptar nga Rusia janë shqetësuese. “Rusia kërkon ta përdorë kundër nesh për të vendosur opinion publik ndaj qeverive në mënyrë që qeveritë të fillojnë të çedojnë. Këtë armë që Kremlini po e përdor, ne duhet ta neutralizojmë me shumë durim dhe vendosmëri dhe me një qartësi të madhe. Është një luftë që të mos lejojmë forcën e Rusisë të shtrihet përtej duke ardhur deri këtu. Besoj shumë që BE i ka fuqitë që të neutralizojë armën dhe do ta neutralizojë. Përmendja e vazhdueshme se Shqipëria po furnizon Ukrainë me mercenarë së bashku me Kosovën është një akuzë pa asnjë bazë dhe e pavërtetë , por edhe shqetësuese”, tha në fjalën e tij Rama.
Rama kapet me BE: Krushqit nuk e anulojnë dasmën
Ndërsa refuzimi i vazhdueshëm i BE për të mos çelur negociatat për integrimin e Shqipërisë u përdorën nga lideri i mazhorancës socialiste për të sulmuar sërish Brukselin. Rama shtoi se shqiptarët duhet të respektohen nga Europa e Bashkuar për dashurinë e madhe që kanë për vlerat europiane dhe se çështja e integrimit në BE e vendit tonë është si krushqit që nuk e anulojnë dot dasmën. “Këtu nuk ka krushk që anulon dasmën, se jemi në dashni të madhe me Europën. Kjo forcë na bën që ne të jemi gati për t’u martuar dhe kur BE të thotë ‘jam dhe unë gati’ dhe nuk do të mjaftohet vetëm me ‘ne ju duam shumë, por s’kemi kohë të flasim bashkë’. Flitet për bisedime për martesë dhe mendoj se shqiptarët janë për t’u dashur”, u shpreh shefi i qeverisë në prani të zyrtarit të lartë të BE. Në fund, Rama u tërhoqi vëmendjen drejtuesve të BE që nëse do të ndihmojnë shtetet e Ballkanit me një plan kundër inflacionit, të mos përjashtojnë rajonin si në rastin e shpërndarjes së dozave të para të vaksinave anti-COVID.”Nëse do të ketë një plan për të mbështetur vendet qoftë për përballimin e energjisë elektrike apo pasojave të tjera të luftës, të mos e lërë Ballkanin jashtë siç e lanë kur bënë skemën e shpërndarjes së parë të vaksinave”, përfundoi kryeministri Rama në konferencën e përbashkët me diplomatin spanjoll Josep Borrell.