Categories
Uncategorized

Brukseli kërkon që SPAK të arrestojë pushtetarët e lartë shqiptarë të korruptuar, lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë ka në dorë “fatin” e negociatave

Në 15 shtator, delegacione zyrtare të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut fillojnë në Bruksel procesin teknik të ekzaminimit të legjislacionit të dy vendeve krahasuar me atë të Bashkimit Europian. Ky ekzaminim, i ashtuquajtur “screening” ka për qëllim përafrimin e dy vendeve me legjislacionin e deritanishëm të BE-së. Në përfundim të këtij procesi, Komisioni Europian harton raporte të ekzaminimit, për të rekomanduar hapjen e kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të mund të mbyllin negociatat e anëtarësimit vetëm kur të mund të përafrojnë dhe zbatojnë krejtësisht grupkapitullin mbi legjislacionin për sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe demokracinë, çka do të thotë se tashmë SPAK duhet të arrestojë pushtetarët e lartë shqiptarë të korruptuar, pasi dhënia fund pandëshkueshmërisë, është kushti nga i cili varen negociatat.

Zëdhënësja e KE kërkon që në Shqipëri të sundojë ligji

Në një intervistë të dhënë në media, Ana Pisonero-Hernandez, zëdhënësja e komisionerit për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varhelyi, shpjegon se gjatë muajve të ardhshëm, do të kemi një program pune shumë të ngjeshur, shumë intensiv. Sipas saj, do të ketë shumë kontakte midis Komisionit Europian nga njëra anë dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Në vijim të konferencës së parë ndërqeveritare në 19 korrik me të dyja vendet që u mbajt një ditë pasi Këshilli i BE-së aprovoi kudret negociuese me të dyja vendet, Komisioni Europian filloi menjëherë punën përgatitore. Siç u shpjegua nga komisioneri Várhelyi gjatë takimit më 19 korrik, gjatë muajve të ardhshëm, do të kemi një program pune shumë të ngjeshur, shumë intensiv. Do ketë shumë kontakte midis Komisionit Europian nga njëra anë dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nga ana tjetër. Ne parashikojmë që ky proces i ekzaminimit mund të zgjasë deri një vit. Në përfundim të këtij procesi, grupkapitulli për fushat themelore do të hapet i pari dhe do të mbyllet i fundit, siç parashikohet në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit. Kjo metodologji vendos një fokus edhe më të fortë në fushat themelore, duke filluar nga sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformat ekonomike dhe qeverisja ekonomike”, tha ajo.

Procesi i “screening”

Ndërkohë, ajo shpjegoi se çfarë është konkretisht procesi i “screening”, si zhvillohet dhe ç’impakt ka metodologjia e rishikuar e zgjerimit mbi këtë proces. “Ky është hapi i parë dhe shumë domethënës në procesin e negociatave të anëtarësimit. Procesi i screening është një ekzaminim i legjiclasionit që do t’u mundësojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të familjarizohen me arritjen legjislative të deritanishme të BE-së dhe të mundësojë identifikimin e çështjeve dhe fushave ku kërkohet më shumë përgatitje nga ana e vendeve kandidate. Kjo do të bëjë të mundur përafrimin e legjislacionit të këtyre vendeve me atë të BE-së (acquis communautaire) dhe përgatitjen për zbatimin e tij deri në kohën e anëtarësimit”, tha ajo. E pyetur se si zhvillohet ky proces, Ana Pisonero Hernandez, tha se procesi i ekzaminimit përbëhet nga dy faza dhe zhvillohet midis Komisionit Europian dhe vendeve kandidate. Ajo theksoi se faza e dytë e ekzaminimit ka të bëjë me ekzaminimin bilateral “Procesi i ekzaminimit përbëhet nga dy faza dhe zhvillohet midis Komisionit Europian dhe vendeve kandidate. Pjesa e parë ka të bëjë me ekzaminimin shpjegues, që do t’i mundësojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të familjarizohen me të drejtat dhe detyrimet e Bashkimit Evropian. Në këtë fazë, është Komisioni Europian që shpjegon në detaje legjislacionin dhe politikat e BE-së. Ndërkohë, që faza e dytë e ekzaminimit ka të bëjë me ekzaminimin bilateral, ku shtetet kandidate tregojnë nivelin e tyre të përafrimit me legjislacionin e BE-së dhe të përvijojnë planet për harmonizim të mëtejshëm. Kjo pastaj mundëson identifikimin e fushave apo çështjeve që mund të kërkojnë më shumë punë gjatë negociatave në grupkapituj të ndryshëm. I gjithë procesi mbaron me raportet e ekzaminimit, ku Komisioni Europian i bën një rekomandim Këshillit të Bashkimit Europian nëse duhet të fillojnë praktikisht negociatat dhe me kë grupkapituj. Në këto raporte identifikohen gjithashtu nëse ka ende kushte që nevojiten të përmbushen, që njihen ndryshe si standartet e hapjes “opening benchmarks”, nënvizoi Ana Pisonero Hernandez, zëdhënëse e KE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *