Categories
Uncategorized

Konfirmohet zyrtarisht! Sali Berisha nën hetim për “Gërdecin” dhe Kompleksin “Partizani”, kreu i SPAK deklaron se hetimi për Ilir Metën vazhdon intensivisht

Ashtu siç gazeta “SOT” e paralajmëroi e para, afera e Inceneratorëve pritet të shkaktojë “prerje kokash” dhe furtunë arrestimesh në radhët e ministrave dhe deputetëve aktualë. Prej kohësh në korridoret e drejtësisë dhe politikës ka zërë se vjeshta jovetëm që do të jetë e “nxehtë”, por do të çojë në bangën e të akuzuarave shumë pushtetarë dhe politikanë të lartë të përfshirë në afera korruptive. Por sinjalet se goditjet ndaj “mamuthëve” të korruptuar janë afër, janë dhënë ditën e djeshme edhe nga kreu i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, Arben Kraja. Ky i fundit gjatë një interviste për misionin “Pa Censurë” në RTSH, ka deklaruar dje se SPAK ka të hapura hetimet për ministra e deputetë, lidhur edhe me çështjet e inceneratorëve. “Kemi 20 skuadra me BE përfshirë edhe Francën e MB apo Holandë skeptikë me organet e drejtësisë në vendin tonë. Ka pasur arrestime dënime e sekuestrime nga bashkëpunimi me autoritetet e huaja. 18 milion e gjysmë euro me Italinë apo pasuri të paluajtshme nga aktiviteti i paligjshëm jashtë. Krimi i organizuar është shumë i zhvilluar. Shqiptarët po përfshihen në krimin në vendin e origjinës dhe kjo e bën të nevojshme bashkëpunimin. Proceset në këtë fushë kërkojnë kohë, 3 apo katër vite. Hetimi i zyrtarëve të lartë është sfidë më vete. Kemi pasur raste hetimesh apo dënimesh nga vetingu për korrupsion. Kemi pasur hetim e dënim për zyrtarë të larta në prokurimet publike. Drejtoria qendrore e Prokurimeve Publike është shpallur fajtore. Kemi në hetim edhe në nivel ministrash e deputetësh siç është ajo e inceneratorëve. Kemi çështje të Gërdecit që është rihapur”, deklaroi ai.

Hetimi i Ilir Metajt, Kraja: SPAK i vendosur t’i shkojë deri në fund

Por ministrat dhe deputetët nuk janë të vetmit që rrezikohen të arrestohet, pasi nëse hetimet rezultojnë të suksesshme, drejt burgut pritet të përfundojnë edhe ish-presidenti Ilir Metaj. Kreu i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, Arben Kraja përpiqet të jetë sa më korrekt, kur flet për hetimin e politikanëve. Me frazën “sekret hetimor” shpëtohet nga publikimi i detajeve të rëndësishme, por në rastin e hetimit të Ilir Metës për lobim të paligjshëm, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash, pak gjëra mund t’i thoshte. Veçanërisht gatishmërinë për të bërë çdo veprim për hetim të plotë të padive. Kjo do të thotë se kambanat po bien edhe për Metën. “Çështja ndaj ish presidentit është hapur si një kallëzim i gazetarëve dhe i një ish- deputeti. Po hetohet dhe po kryhen të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar çfarë ka ndodhur. Unë jam një nga prokurorët e çështjes. Nuk mund të flas për gjëra konkrete, pasi çështjet janë në hetim. Ka të bëjë me objektivitetin. Ne po kryejnë të gjitha veprimet për të kuptuar çfarë ka ndodhur. Shkojnë kërkesa dhe vijnë përgjigje, pa diskutim. Kështu që nuk dua të futem në detaje konkrete. Përgjigjet nuk kanë ardhur ende. Do t’i bëjmë të gjitha veprimet e mundshme, përfshirë edhe marrjen e provave jashtë vendit”, u shpreh ai.

Kraja komenton “non gratën” e Berishës

Më tej kreu i SPAK, Arben Kraja ka folur në lidhjet me hetimet e institucionit që ai drejton ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Kraja deklaroi se po hetohet në lidhje me ngjarjen e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona. Ai nënvizoi se do të hetohen të gjitha rrethanat. “Kemi çështje në hetim që lidhen me ngjarjen e Gërdecit, ku humbën jetën fatkeqësisht 26 njerëz. Kemi çështje që lidhen me lobingun e partive politike, të cilat po i hetojmë. Në lidhje me Gërdecin, hetimet janë komplekse. Ka vështirësitë e veta, është kohë e gjatë që ka kaluar, por do të sqarojmë të gjitha rrethanat çfarë ka ndodhur brenda mundësive që kemi. Ne po hetojmë ngjarjen. Ish Ministri i Mbrojtjes është me statusin e personit në hetim për shpërdorim detyre, sepse atë status ka pasur, por u pezullua për arsye të imunitetit, ndërkohë pjesën tjetër po e hetojmë dhe nëse do të ketë prova, patjetër që do të ketë dhe akuza për atë që do të provohet”, tha ai. Ndalur te shpallja “non grata” nga SHBA e ish-kryeministrit Berisha ai u shpreh se nën hetim janë çështja e Gërdecit dhe ajo e privatizimit të kompleksit “Partizani” por nuk dha më shumë detaje. “Të mos i marrim të personalizuara. Ka çështje për fakte konkrete për të cilat pretendohet se mund të ketë përfshirje edhe ish kryeministri apo ish presidenti. Diskutohet çështja e Gërdecit, që po hetohet, është publike dhe diskutohet çështja e privatizimit të kompleksit “Partizani”, që janë përfshirë familjarë të tij. Çështjet janë në hetim dhe unë nuk mund të them asgjë më shumë”, tha ai. Pyetur nëse këto çështje kanë lidhur me deklaratën e bërë nga DASH, Kraja shtoi se ato janë të qeverisë së SHBA, ndërsa SPAK heton çështjet penale në Shqipëri. “Ne nuk merremi me deklarata, duhet të më mirëkuptoni. Deklarata janë deklarata politike, janë mbi baza të tjera. Deklaratat janë të qeverisë së SHBA, ndërkohë ne hetojmë çështje penale në Shqipëri dhe nuk kemi dalë në konkluzion as po, as jo në lidhje me ato deklarata”, tha Kraja. Pyetur nëse ka marrë kontakt me SHBA për të dhëna shtesë, Kraja zgjodhi të mos komentojë. “Nuk kam ndonjë koment për të bërë për këtë”, theksoi ai.

Kraja injoron sulmet ndaj SPAK

Ndërkohë drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, shmangu çdo koment për akuzat që atij i vijnë nga politika. Njësoj veproi edhe për qëndrimin e kryeministrit, i cili përdori një gjuhë të ashpër ndaj SPAK në prill dhe në maj të këtij viti, në lidhje me mungesën e rezultateve për hetimin e ish- kryeministrit Berisha dhe ish- presidentit Metaj. “Nuk dua të merrem me deklarata politike. Ne bëjmë punën tonë, vlerësojmë provat. Dikush na shan, dikush na lëvdon, kjo është çështje e tyre, bëjnë komentet e tyre. Unë i jap të drejtë kujtdo që kritikon SPAK me idenë e mirë për të punuar më mirë, kushdo të jetë, kryeministër apo qytetar i zakonshëm”, nënvizoi Kraja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *