Luftar Hysa, një nga katër vëllezërit e akuzuar nga media meksikane “El Universal” si ‘degë’ të kartelit Sinaloa në Shqipëri, ka deklaruar se akuzat ndaj tij kanë nisur nga studioja e ‘Opinion’. I ftuar në të njëjtin ambient, Hysa tha se është sulmuar nga gazetar, por fjalën ia ndërprei Blendi Fevziu duke thënë se personi në fjalë nuk ia kishte përmendur emrin, por thjesht ishte shprehur që karteli Sinaloa kishte lidhje me Shqipërinë. Fevziu tha më tej se gazetari kishte të drejtën e investigimit, por Hysa nuk mendon kështu!
Pjesë nga biseda:
Luftar Hysa: Sulmi ndaj meje ka nisur nga kjo studio
Blendi Fevziu: Pse
Luftar Hysa: Po se këtu një gazetar më sulmoi, tha që karteli Sinaloa ka bashkëpunëtorë shqiptarë. Nuk tha emrin tim, por e la të nënkuptohej.
Blendi Fevziu: Po s’e tha emrin ai
Luftar Hysa: Po mbrëmë u klarifikua kjo gjë
Blendi Fevziu: Po…më kujtohet, ka qenë një pyetje që unë e kuptova më vonë, por…
Luftar Hysa: Jo po doja t’ju merrja në telefon e t’ju thoja, si e lejoni ju këtë gjë
Blendi Fevziu: Po gazetari ka të drejtën e tij…
Luftar Hysa: Si ka të drejtën e tij, mirë politikanët kanë imunitet, por edhe gazetarët tani kanë imunitet e flasin ç’të duan?
Blendi Fevziu: Po, ka të drejtën e investigimit gazetari.
Luftar Hysa e Besnik Lulaj, që sipas mediave meksikane janë ortakët e kartelit ‘Sinaloa’ kanë vizituar edhe zyrën e kryeministrit Edi Rama, gjë që dokumentohej dhe përmes fotove të publikuara ekskluzivisht nga Dosja.al më 4 tetor 2020. Vetë Rama ka mohuar të ketë lidhje me këtë grup famëkeq. Edhe vetë Luftar Hysa, deklaron se është biznesmen e intelektual e se e gjithë ajo që raportohet në mediat meksikane është një ‘luftë’ nga konkurrenca.