Mbyllja e dy shkollave, një në Fier dhe një në Tiranë, arrestimi i një gazetari dhe deportimi i tij në Stamboll së bashku me arrestimin e personazhit të kriptomonedhave po tregojnë çdo ditë e më shumë se ky vend po rikthehet në vilajet të Sulltan Erdoganit. Personi që është shtrirë në gjunjë para sulltanit turk është Edi Rama, i cili në bazë të ofiqeve të dinastisë otomane duhet të quhet veziri i deleguar i Portës së Madhe, Edvin Pashë Rama. Ky është vetëm fillimi i një nënshtrimi pa kushte të interesave shqiptare në duart e një autokrati dhe diktatori si Erdogan. Kryeministri shqiptar prej kohësh ka devijuar shigjetën e orientimit të Shqipërisë në raport me vlerat perëndimore. Nga marrëdhëniet e mira me partnerët europianë dhe ata amerikanë, gjendemi para një raporti krejt tjetër. Sot po ravijëzohet një tjetër bosht, Stamboll-Tiranë-Beograd-Moskë, pjesë e të cilit po bëhemi falë devijimit të kursit gjeopolitik të liderit maximus Edvin Pashë Rama.
Ky ndërrim kursi vjen si rezultat i kalcifikimit të kryeministrit shqiptar me partnerët ndërkombëtarë dhe moszbatimin e kritereve dhe standardeve demokratike që kërkohen prej tyre. Lideri maximus pasi nuk arriti të marrë fitback në mbrojtjen e interesave të Serbisë, ku padyshim një nga skandalet më të mëdha është dhe Ballkani i Hapur që përjashtonte Kosovën me bekimin e Lavorvit dhe Putinit, ka kthyer shigjetën e orientimit nga lindja e Putinit dhe perandoria Otomane e Erdogan. Nisja e sulmeve ndaj investimeve të Gylenit në Tiranë është përmbushje e detyrave të dhëna nga Sulltani turk, të cilat do të pasohen me masa të tjera më radikale si, mbyllja e universitetit Epoka, spitalit amerika dhe në shpërbërjen e ekipit që drejton aktualisht Komunitetin Mysliman, të cilët sipas Erdogan janë njerëzit e Gylenit.
Skandali i mbylljes së shkollave është një nga ato vepra inkuizicionale që konkurrojnë veprimet e kishës ndaj heretikëve, apo më keq veprat e diktatorit me kishat, xhamitë, apo dhe vepra me vlera kulturore që u shkatërruan në regjimin e tij. Mbyllja e shkollave nën pretekste absurde tregon qartë nivelin obskurantist të kryeministrit shqiptar. Preteksti i përdorur nga ky kryeministër për ndërrimin e vendit të shkollës, duke justifikuar qëllimin e vërtetë të veprës së tij përbën një amoralitet të paprecedentë. Nuk ka shqiptar që nuk e di se, këto institucione arsimore po prishen nga kryeministri shqiptar për të plotësuar epshet hakmarrëse të sulltanit turk. Ky njeri po kapet me thonj pas autokratit turk, duke shkelur ligjet dhe normat demokratike që jemi munduar ti krijojmë në këto 30 vite. Kryeministri Rama nuk mund të justifikojë veprimet e tij obskure me teori konspiracioni mediatike për vënien e tij në shërbim të interesave të Erdoganit në shkelje të ligjeve shqiptare. Si gënjeshtar patologjik që është ka filluar çdo ditë ti rritet hunda para opinionit publik, pasi rrena nuk është më profesion, por një cen gjenetik për të.