Categories
Uncategorized

Ja kush është miku i Erdogan dhe Ramës që po blen pronat e gylenistëve në Shqipëri, skema që po përdor dhe takimet me “Sulltanin” në Turqi

Persekutimi, lufta dhe ofensiva e nisur nga qeveria shqiptare sa i takon kundërshtarëve të presidentit turk, Rexhep Erdogan në Shqipëri (gylenistët), duket se është një fushatë-strategji e mirëmenduar, që mbart në vetvete pazare të pista, me qëllim nënshtrimin ndaj urdhrave të “Sulltanit” dhe bërjen realitet të dëshirave të tij nga ana e Tiranës zyrtare. Pak ditë më parë qeveria shqiptare vendosi mbylljen e kolegjit turk “Mehmet Akif”, një institucion arsimor jopublik parauniversitar dhe kopshtit për fëmijë “Zubeyde Hanim”, pjesë e rrjetit “Turgut Ozal Education”, të shënjestruar nga qeveria turke dhe presidenti turk Erdogan si “terroristë”, pasi lidhen me lëvizjen e klerikut Fetullah Gylen. Ministria e Arsimit deklaroi se godina e re e kolegjit turk “Mehmet Akif”, në Mëzez, nuk plotësonte kushtet dhe sipas saj, kjo ishte arsyeja e mbylljes. Ky vendim i paprecedent i autoriteteve shqiptare ka ndeshur në zemërimin e nxënësve dhe prindërve që kanë pasur lidhje me shkollat e mbyllura, ndërkohë që pjesë e debatit është bërë edhe opozita, e cila në unison akuzon qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se është kthyer në një vasal i presidentit Erdogan, duke e kthyer Shqipërinë në një enklavë të Turqisë. Por, në kulmin e këtyre debateve dhe sherreve, opozita dhe mediat kanë zbuluar edhe personin që fshihet pas Ramës dhe që ka blerë godinën e kolegjit turk, që sipas qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, nuk plotësonte standartet. Bëhet fjalë për Sinan Idrizin, mikun e Edi Ramës dhe presidentit Erdogan. Ndërkohë edhe flotën “Air Albania” që ka si aksionare shtetin turk, një pjesë të mirë të aksioneve e ka pasur zoti Idrizi përpara se kompania të pezullohej pak ditë më parë. Pra, përpara këtyre fakteve, një gjë është e sigurtë që biznesmeni Idrizi është mik i Ramës dhe Erdogan. Këtë të fundit madje Idrizi e ka takuar edhe një vit më parë në Stamboll, teksa ishte pjesë e delegacionit shqiptar krah, kryeministrit Edi Rama. Ndërsa sa i takon miqësisë me Ramën, Idrizi, madje edhe vetëm nuk e ka fshehur, sikundër e tregoi prania e tij në New York javën që shkoi, ku shefi i qeverisë shqiptare ndodhej atje për të marrë pjesë në sesionin e 77 të punimeve të OKB.

Idrizi pranon se ka blerë ndërtesat kolegjit turk “Mehmet Akif Ersoy”

Por përtej këtyre debateve dhe aludimeve, sa i takon kësaj çështje, ka pasur edhe një reagim nga ana e biznesmenit nga Vlora, Sinan Idrizi. Ky i fundit pranoi për “Euronews Albania” se kishte blerë ndërtesën e vjetër të kolegjit turk “Mehmet Akif Ersoy” te “21 Dhjetori”, në Tiranë, si dhe ndërtesa të tjera në disa qytete të vendit. Biznesmeni theksoi se transak sioni me pronarët e “Mehmet Akif” ishte bërë disa muaj më parë dhe ai është tashmë pronari ligjor i ndërtesës në Tiranë dhe në disa qytete të tjera, që do të shfrytëzohen në vijim në sferën e arsimit. “Unë nuk kam blerë vetëm godinën ku bëhet fjalë tek “21 Dhjetori”. Kam që nga viti i kaluar që kam blerë për të investuar në sistemin arsimor të Shqipërisë, në Shkodër, në Korçë, në Tiranë, jam duke negociuar për në Vlorë dhe në Berat. Janë dy gjëra krejt të ndryshme. Dëshira ime për të investuar në sistemin arsimor duke blerë pasuri të patundshme, objekte që kanë qenë në disponim të këtyre grupimeve dhe gjë tjetër licencimi apo jo nga Ministria e Arsimit. Unë i kam blerë këto godina dhe pronari i tyre ligjor jam unë”, deklaroi ai. Ndërkohë mes të tjerash, zoti Idrizi deklaroi se ishte bërë një marrëveshje shumë korrekte, shumë serioze me ish-poseduesit e këtyre objekteve, një marrëveshje në kuadër të ligjit shqiptar, brenda çdo lloj procedure, e dorëzuar në mënyrë korrekte nga të gjitha palët.

Lufta me gylenistët në Shqipëri dhe jovetëm, ja prapaskenat

Megjithatë, transaksioni më i fundit në fushën e arsimit vjen, pas disa vitesh fushate agresive të presidentit Erdogan dhe të qeverisë turke ndaj qeverive ballkanike, veçanërisht asaj shqiptare, për të mbyllur të gjitha bizneset që dyshohet se drejtohen nga “celulat gyleniste” në arsim, apo shëndetësi. Gjatë viteve të fundit, disa institucione të tjera arsimore të “gylenistëve” janë blerë nga biznesmenë që thuhet se kanë mbështetjen e qeverisë turke. Idrizi nuk pranoi se kishte ndikime të tilla në blerjet e fundit që ka bërë në arsim, ku ka ambicien për të hyrë, edhe pse ka dështuar në disa të tjera si në sport dhe transport ajror. Idrizi i bëri komentet nga Nju Jorku, ku ndodhej edhe shefi i qeverisë shqiptare, që mori pjesë në punimet e Asamblesë vjetore të OKBsë. Ai tha se ishte krenar që e kishte mik kryeministrin Rama, edhe pse shpjegoi se qenia e të dyve në kryeqytetin e botës ishte një rastësi. Sinan Idrizi, njihet më së shumti në vend si ish-president i klubit Flamurtari, tashmë në kategori të dytë, pas falimentimeve të njëpasnjëshme dhe si bashkëpronar me turqit i kompanisë ajrore “Air Albania”. “Air Albania” që është akuzuar si një kompani private e shefit të qeverisë shqiptare është një shoqëri ku kanë aksione kompania turke “TÜRK HAVA YOLLARI”, shoqëria aksionere shqiptare “ALBCONTROL” dhe shoqëria “MDN INVESTIMENT” me administrator Sinan Idrizin. Statusi i kompanisë u deklarua i pezulluar nga QKB që nga 1 shtatori. “Air Albania” ka dorëzuar në QKB vetëm bilancin e vitit 2018, kur nuk kishte akoma aktivitet, por jo bilancet e viteve 2019 dhe 2020, afati i të cilëve ka përfunduar me kohë. Bilanci i vitit 2021 kishte kohë të dorëzohej deri në 15 shtator 2022, ndërsa zv/kryeministrja Belinda Balluku ishte shprehur se bilanci do të depozitohej brenda afatit. Përkundër akuzave të opozitës se kompania po përdoret si çarter personal i kryeministrit shqiptar dhe se ka falimentuar, Idrizi u shpreh pak ditë më parë se sot “Air Albania” është në treg me 7 avionë të rinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *