Vila 760 mijë euro në Gjirin e Lalëzit është në pronësi të deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka. Kështu pretendon përmes një reagimi në rrjetet sociale, deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, i cili ishte ai që hapi këtë çështje, që u kthye në temë debati për muaj me radhë. Kjo deklaratë, u dha si kundërpërgjigje e akuzës së mbrëmjes së kësaj të marte të Nokës. Bardhi, bën të ditur se Noka fsheh vilën e padeklaruar 760 mijë euroshe në Gjirin e Lalzit. Duke iu përgjigjur akuzës së ai gjobit oligarkë, Bardhi pyet Nokën se cilin prej tyre ka gjobitur, duke përmendur se Noka ka një mik që rezulton të jetë një trafikant droge. Për këtë person, Bardhi thotë se në kohën kur Noka ishte ministër i Brendshëm, lejoi trafikimin e drogës drejt Britanisë së Madhe, e me ato para që përfitonte, i pastronte me pasuri të paluajtshme. “Kujt i paskam vendosur gjobë unë, oligarkut të farmaceutikës pas emrit të të cilit Flamur Noka fsheh vilën e padeklaruar 760 mijë euroshe në Gjirin e Lalzit? Meqë edhe atë e takon çdo fundjavë, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë ndonjëherë. Dhe kur ta pyesë, Flamur Noka bën mirë të kujtohet sa herë ka ndërhyrë për të që Partia Demokratike të mos e përfshinte në denoncimet për abuzimet me tenderët në shëndetësi. Kujt i paskam vendosur gjobë unë, mikut tënd trafikant droge, që sa ishe ti ministër i brendshëm mbyti Britaninë me drogë dhe, më pas, vendosi të pastrojë paratë e drogës me pasuri të paluajtshme? Meqë rri shpesh për dreka e darka, Flamur Noka mund ta pyesë vetë edhe atë. Dhe meqë jemi në këtë pikë, është një rast për të sjellë ndërmend se me këtë mikun trafikant droge mori në qafë edhe Sali Berishën, duke i veshur damkën për lidhje me përfaqësues të krimit të organizuar. Në gjithë karrierën politike nuk ka ndodhur kurrë të kem qoftë edhe një kontakt të ras tësishëm me ndonjë oligark apo përfaqësues të botës së krimit”, shkruan ai.
Bardhi: Noka është peng i krimit
Ndërkohë deputeti Bardhi mohoi akuzat se ka lidhje me oligarkë dhe me kriminelë, duke sqaruar se nuk ka as vila të fshehura, as para të investuara në bizneset e oligarkëve, as licenca për ndërtim hidrocentralesh dhe as është peng i asnjë financuesi apo krimineli. “Kur kam hyrë në politikë me besimin tek njerëzit e zakonshëm, tek ata do të mbështetem deri në ditën time të fundit në politikë. Prandaj, sot jam njeri i lirë dhe nuk jam peng i askujt, aq më pak i oligarkëve dhe kriminelëve. Investimi im kryesor është tek dija. Nuk kam as vila të fshehura, as para të investuara në bizneset e oligarkëve, as licenca për ndërtim hidrocentralesh dhe, mbi të gjitha, nuk jam peng i asnjë financuesi apo krimineli, që ditën punon me Qeverinë, ndërsa natën financon flamurin e opozitarizmit të rremë. Për Flamur Nokën kam një premtim: sa më shumë të shpifë, aq më shumë të vërteta do jem i detyruar të them”, u shpreh ai. Po ashtu, Bardhi mohoi akuzat se vendos gjoba. “Shumë miq më thonë të mos e marr seriozisht Flamur Nokën për shpifjet që shpërndan herë pas here. Por nuk do të hesht më pas serialit të ri të shpifjeve, të nisur ditët e fundit ndaj meje dhe disa kolegëve të tjerë. Ndryshe prej tij, ne nuk kemi ngritur flamurin e opozitarizmit të rremë. Kur denoncojmë korrupsionin dhe paligjshmërinë nuk selektojmë në “tanët” dhe “të tyret””, nënvizoi Bardhi.