Categories
Uncategorized

Kërkoi rikthimin në detyrë, “Strasburgu” rrëzon kërkesën e Ardian Fullanit, ja si ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë u arrestua 8 vite më parë për vjedhjen e 713 milionë lekëve

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut rrëzoi dje kërkesën e ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pas ankimimit të bërë në 22 nëntor 2019, për shkarkimin e tij. Fullani paditi në Strasburg Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe Kuvendin. Në vendimin e siguruar nga gazeta “SOT”, Gjykata e Strasburgut argumenton se ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk ka përdorur të gjitha mjetet juridike që parashikon sistemi ligjor në Shqipëri, në këtë rast pa një ankim në Gjykatën Kushtetuese. “Gjykata e Strasburgut: Z. Fullani nuk ka bërë ankim në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se nuk i ishte kërkuar një gjë e tillë, sepse, ndër të tjera, nuk kishte të drejtë kushtetuese për kthim në detyrë apo për të marrë dëmshpërblim. Gjykata nuk u pajtua. Pas reformës në drejtësi në Shqipëri në vitin 2016 dhe ndryshimeve në Kushtetutë, një ankesë individuale kushtetuese nuk kufizohej më në ankesat sipas Nenit 6 (e drejta për një dëgjim të drejtë) të Konventës dhe ishte, në parim, një mjet juridik efektiv në respekt të pretendimeve për çdo shkelje të të drejtave të mbrojtura nga Konventa dhe Protokollet e saj që janë ratifikuar nga Shqipëria. Prandaj, ky mjet juridik duhet të përdoret nga aplikantët, përfshirë z. Fullani, përpara paraqitjes së një kërkese në Gjykatën Evropiane. Si rrjedhim, kërkesa e z. Fullani duhej të refuzohej për mos shterjen e mjeteve juridike të brendshme”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Strasburgut. Ja si Fullani u arrestua në vitin 2014 Kujtojmë se Adrian Fullani u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë me një mandate të dytë në vitin 2011, nga Kuvendi. Gjatë vijimësisë së mandatit, tre vite më vonë, pra në vitin 2014 Fullani u arrestua si i dyshuar për shpërdorim detyre po nga Kuvendi, për zhdukjen e 713 milionë lekëve. Gjykata e la në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa Apeli e shpalli të pafajshëm në dhjetor të vitit 2015. Pas triumfit me drejtësinë penale, Ardian Fullani nisi një tjetër betejë, atë të shkarkimit nga detyra, sipas tij të padrejtë. Në 2016-ën ai ngriti padi për kundërshtimin e shkarkimit. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi se ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ishte shkarkuar në mënyrë të paligjshme. Gjykata zbuloi se arrestimi i tij nuk e kishte justifikuar shkarkimin nga detyra dhe kishte pasur mangësi procedurale. Ajo urdhëroi Bankën e Shqipërisë të paguante Fullanin me pagën 12-mujore, por e refuzoi. Më tej, Gjykata Administrative e Apelit të Tiranës e konsideroi të paligjshëm shkarkimin e tij, teksa urdhëroi Bankën e Shqipërisë t’i paguaj jo 12, por 56 pagesa mujore, deri në fund të nëntorit 2018, periudhë kur do të përfundonte edhe mandati i Fullanit. Përfundimisht, në vitin 2017 Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit Administrativ, duke konsideruar se shkarkimi i Ardian Fullanit ishte i pavlefshëm. 5 akuzat e prokurorisë për Ardian Fullanin 1. Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtpërdrejtë administrimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e akteve proceduriale për përdorimin e mjeteve financiare. 2. Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikëqyrës Nr.13 datë 22.02.2006. Pra me nisjen e funksionimit të departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikëqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cenimin e parave. 3. Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës. Ndër to, mund të përmendet zbatimi i politikave të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. 4. Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar. 5. Në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person në hetim për “shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *