Teksa Bashkimi Evropian po përpiqet të rrisë ndikimin në Ballkanin Perëndimor, Rusia dhe Turqia kanë përforcuar zellshëm lidhjet e tyre në rajon. Presidenti turk Erdogan po shfaqet si një nga fuqitë e kategorisë së rëndë që po fiton përkrahjen e zyrtarëve të korruptuar të Ballkanit Perëndimor, por që nga mbrapa ka presidentin e Rusisë Vladimir Putin. Ashtu si Rusia edhe Turqia ka hyrë në projekte të mëdha me rëndësi kombëtare të këtyre vende, me synimin që të ketë ndikimin sa më të madh ekonomik e politik në tregun financiar dhe kur këtë ‘ndihmë’ ruso-turke në Ballkan, po mundohet t’ia presë me forcë Perëndimi, kryeministri Edi Rama, po mundohet t’ia mbajë gjallë. Vendimet e fundit të Ramës për të goditur gylenistit si kërkesë e Ankarasë, tregojnë që kreu i qeverisë është kthyer në një vasal të presidentit Erdogan, duke e kthyer Shqipërinë në një enklavë të Turqisë. Nga ana tjetër, Rama zhvilloi pak ditë më parë një takim të papritur në Turqi me Erdoganin, ku detajet e takimit ende janë mister. Por momenti final i një lidhjeje të fortë të Ramës me Erdogan u tregua në Asamblenë e Përgjithshme të KiE. Rama ka debatuar ashpër me anëtaren e Greqisë në KiE, Nina Kasimati lidhur me marrëdhënien e Shqipërisë me Turqinë dhe ndikimin e këtij partneriteti në aderimin e Shqipërisë në BE.
Rama ngre në qiell Erdoganin
Përgjigje ndaj zonjave e zotërinjve e do i kthehem zonjës nuk di nga vjen sepse nuk u prezantua, nga Greqia, tani kuptoj pse është e shqetësuar për marrëdhënien me Turqinë. Ashtu si Greqia e Italia, të treja janë njësoj e në politikën tonë të jashtme përcaktohen si partnerë strategjikë. nuk kuptova pyetjen tuaj. Ju keni problemet tuaja shpresoj t’i zgjidhni mes dialogut e drejtësisë ndërkombëtare, por kur bëhet fjalë për ne, nuk krahasojmë e zgjedhim mes miqve e partnerëve tanë se kemi mësuar nga e shkuara se fqinjët janë aty për të qëndruar përgjithmonë. Gjyshja ime një grua e mençur thoshte fqinj i lumtur është shtëpi e lumtur, në nuk kemi frikë se një gjë e keqe mund të vijë nga Turqia, në të kundërt, është shumë e rëndësishme për sigurinë e Evropës. Pa ta kriza e emigrantëve do ishte kthyer në krizë apokaliptike për vendet më të rëndësishme të Europës. Turqia qëndroi në portat e Europës dhe bëri atë që bëri. Kam privilegjin të konsideroj veten mik të Erdogan e Mitsotakis për të zgjidhur këtë çështje”, tha Rama pak ditë më parë. Mediat turke kanë pasqyruar menjëherë mbrojtjen që Rama i bëri Erdoganit duke thënë fjalët më të mira. Nga ana tjetër, mediat greke kanë reaguar shumë ashpër, duke nisur sulme ndaj kryeministrit Rama.
Rama merr në mbrojtje Vuçiçin
Por, teksa Perëndimi po përpiqet të izolojë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç pas mbështetjes së fuqishme që po i jep Vladimir Putinit, kryeministri Edi Rama nga ana tjetër vazhdon të forcojë lidhjet me Serbinë. Brukseli ka humbur duri- min me Beogradin, ku ditën e djeshme ka hedhur idenë që të ndalet procesi i pranimit të Serbisë në BE. Në këtë mes e pëson i gjithë Ballkani Perëndimor, veçanërisht Edi Rama, si politikani që vazhdon të mbrojë Vuçiçin duke i bërë thirrje Perëndimit që të mos e detyrojnë të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Nga ana tjetër, mediat serbe po pasqyrojnë çdo ditë edhe më shumë marrëdhëniet e shkëlqyera të dy liderëve. Rama ka arritur deri aty, sa disa herë ka shitur tek serbët pavarësinë e Kosovës. “Unë jam vëllai i Vuçiçit”, tha në fund të korrikut kryeministri shqiptar Edi Rama, duke theksuar se nuk dëshiron të ndërhyjë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.
Putin aleancë të ngushtë me Vuçiçin dhe Erdogan
Sa më shumë shtohet afrimiteti i Ramës me Vuçiçin dhe Erdogan, aq më shumë shtohen lidhjet e Vladimir Putinit në Ballkan. Së fundmi, Putin ka vlerësuar përpjekjen e serbëve për të ndjekur një politikë të ekuilibruar dhe të pavarur në skenën atje ndërkombëtare. Kjo duke shtuar se Rusia dhe Serbia do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin në sferat ekonomike, shkencore-teknike dhe humanitare. “Në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, duke u mbështetur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ne do të vazhdojmë t’u ofrojmë miqve tanë serbë mbështetje gjithëpërfshirëse në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave legjitime të Serbisë, duke mbrojtur sovranitetin e saj shtetëror dhe integritetin territorial”, tha pak ditë më parë në fjalimin e tij Putin. Gjithashtu, nga ajo që shkruajnë mediat serbe, Putin flet shumë shpesh me Vuçiçin, njësoj si kryeministri Rama. “Rusia dhe Serbia janë të lidhura me një partneritet strategjik. Duke u mbështetur në traditën e miqësisë, afërsisë kulturore, shpirtërore dhe historike të popujve tanë vëllezër. Unë flas rregullisht me presidentin Vuçiç në takime personale dhe në biseda telefonike, për çështjet kyçe të zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit”, tha lideri rus. Nga ana tjetër, Erdogan është vënë totalisht në shërbim të rusëve. Vladimir Putin po e përdor si ndërmjetësin e madh me Perëndimin. Si fillim me marrëveshjen e grurit, tani me gazin. Pra lidhjet e ngushta të Putinit me Erdogan janë të forta dhe sa më shumë të shtohet në këtë mes bashkëpunimi i Ramës me presidentin turk aq më shumë në rrezik është Shqipëria nga ndikimi rus.