Avokati i njohur Idajet Beqiri ka dalë kundër vendimit të prokurores së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Manjola Kajana datë 07.10.2022 për mos fillimin e procedimit penal që ka të bëjë me kallzimin penal nr. 142/2022 për vjedhjen e floririt të Krrabës. Pak ditë më parë, avokat Beqiri paditi në SPAK, ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilët i akuzon se kanë qenë arkitetët e megagrabtijes të floririt të Krrabës në vitet ’97-’99, por SPAK e rrëzoi si padi duke mos nisur asnjë hetim. Beqiri ka vendosur ta ankimojë vendimin pranë Gjykatës së Posaçme duke dhënë të gjithë argumentet se përse dyshja Meta-Berisha duhet të japë llogari për këtë aferë kriminale. Ai rendit faktet dhe provat se përse SPAK ka gabuar me vendimin që ka marrë për mosnisje hetimesh. Gazeta “SOT” ka siguruar animimin e plotë të zotit Beqiri, i cili është depozituar në GJKKO.
Ankimimi
Vendimi i Prokurores së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Manjola Kajana datë 07.10.2022 për mos fillimin e procedimit penal në radhë të parë nuk i përgjigjet misionit të këtij organi, vjen në kundërshtim me nenin 148 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pikën “1”, në të cilën thuhet se “Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit”. Shtetit shqiptar i është vjedhur thesari i shtetit, rezervat e floririt, pasuria më e rëndësishme kombëtare, ku të dyshuar janë dy ish përfaqësuesit më të lartë të shtetit, ish Presidenti i Republikës Sali Berisha dhe ish Kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta. Vendimi i SPAK i trajton problemet shumë përciptazi, i anashkalon akuzat më të rënda, duke u marrë vetëm me gjëra dytësore dhe për më keq, në vend të një trajtimi të plotë ligjor të gjithë situatës së krijuar nga krimet e rënda që dyshohet se kanë kryer Sali Berisha dhe Ilir Meta, në vendim ka arsyetime vetëm për një pjesë të vogël të akuzave. Për më keq, edhe për këtë pjesë të akuzave, gjenë vetëm arsyetime që favorizojnë dy autorët e dyshuar si organizatorë, frymëzues dhe përfitues prej kryerjes së këtyre krimeve, duke mos e trajtuar çështjet në thellësinë e tyre, në harmoni të plotë të të gjitha dispozitave ligjore, të fakteve dhe të provave. Pra kemi të bëjmë me një vendim mosfillimi të paragjykuar, jo të drejtë, jo të bazuar në ligj dhe në prova dhe mbi të gjitha shumë të dëmshëm për interesat e shtetit dhe të taksapaguesëve shqiptar.
Ja skema e Berishës dhe Metës për të humbur gjurmët
Vendimi i Prokurores së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i datës 07.10.2022 për mos fillimin e procedimit penal për kallzimin penal nr. 142/2022 kundër dy ish zyrtarëve më të lartë të shtetit Sali Berisha dhe Ilir Meta, është absurd, në kundërshtim me faktin dhe me ligjin në pjesën që arsyetohet vjedhja e “Thesarit të Krrabës” nga banorët e fshatit. Ky organ i ndjekjes penale, në rastin objekt ankimi, u bë mbase pa dashje, mbështetëse e alibisë së ish Presidentit të Republikës Sali Berisha dhe ish Kryeministrit Ilir Meta, të cilët, pasi shpërdoruan detyrën, hapën tunelin e blinduar me çelsat që kishin në duar, si njerëzit më të besuar të shtetit, dhe pasi vunë dorë mbi këtë thesar, duke përvetësuar “pjesën e luanit”, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tyre, nxitën disa fshatarë të futeshin për të përvetësuar “disa thërrime” të floririt.
Berisha dhe Meta kanë vjedhur 11 arka me florinj
Në fakt kallëzimi im nuk bënë fjalë për vjedhjen që i kanë bërë “Thesarit të Krrabës” Ahmet Hasan Hyka, Pëllumb Fetah Dalti, Enver Hasan Hyka të cilët kanë marrë sejcili nga dy qese me monedha 1 Lira Turke (LTQ), që në total bëjnë1534 copëLTQ, prej të cilave 517 copë LTQ ju gjetën pas arrestimit nga policia të groposura në vendin e quajtur “Blinjtë”. Këta tre persona janëpërgjigjur penalisht për sa kanë kryer në datën 13. 03. 1997 në orët e pasdites. Ndrësa kallëzimi im penal është bërë kundër Sali Berishës dhe bashkëpunëtorëve të tij për vjedhjen e “Thesarit të Krrabës” paraditen e datës 13.03.1997, ku u grabitën jo dy qese, sa morën tre fshatarët e Krrabës, por plotë 11 arka me flori.
Meta ka përfituar 2.8 milionë dollarë
Kallëzimi im penal është bërë njëkohësisht kundër ish Kryeministrit Ilir Meta, i cili përmes shpërdorimit të detyrës, me bashkëpunëtorët e tij, duke patur çelsat e tuneleve ku ishte në ruajtje floriri i shtetit, në muajin dhjetor 1999 kanë përvetësuar një sasi floriri me vleftë 2.8 milion dollar. Pra “Thesari i Krrabës” është vjedhur 3 (tre) herë. Janë vënë para përgjegjësisë vetëm 3 fshatarët e Krrabës për vjedhjen e një sasie fare të vogël të floririt, ndërsa për dy vjedhjet e tjera shumë të rënda dhe në sasira të konsiderueshme floriri të grabitura, të bëra nga persona të tjerë, pjesë e grupit kriminal të krijuar dhe të udhëhequr nga dy ish zyrtarëve më të lartë të shtetit, Sali Berisha dhe Ilir Meta, nuk janë hetuar dhe nuk janë dërguar në gjyq. Duke cituar gjatë e gjerë Vendimin nr. 37 të Gjykatës Ushtarake të Rethit Tiranë date 06. 02. 2001 për vjedhjen që i kanë bërë “Thesarit të Krrabës” Ahmet Hyka, Pëllumb Dalti dhe Enver Hyka, të cilët kanë marrë në total 1534 copë LTQ, prej të cilave 517 copë LTQ u rikthyen në Thesarin e Shtetit, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të jep të kuptosh se Thesari i Shtetit mund të vidhet një herë të vetme! Meqënëse ky Thesar u vodh prej tre fshatarëve të Krrabës, nuk duhet të merret më në përgjegjësi penale asnjë person tjetër që e ka vjedhur atë më parë, ose më pas. Kështu që arsyetimi i gjatë në vendimin e Prokurores për mosfillimin e procedimit penal për kallzimin penal nr. 142/2022 kundër dy ish zyrtarëve më të lartë të shtetit, Sali Berisha dhe Ilir Meta, të Vendimit nr. 37 të Gjykatës Ushtarake të Rethit Tiranë date 06. 02. 2001,është “non sens”, shumë i pakuptimtë dhe që nuk ka lidhje me vjedhjen e 11 arkave me flori prej dy të kallëzuarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre të bërë nga ana ime.
Beqiri: Ja pse nuk qëndron vendimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në vendimin e saj të datës 07.10.2022 për mosfillimin e procedimit penal ndaj kallëzimit që kam paraqitur nr.142/2022 kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës ka arritur në konkluzionin se ndodhemi para faktit të parashkrimit të ndjekjes penale e për këtë arsye, sipas kësaj Prokurorie ky kallzim penal duhet tëmos fillohet bazuar ne nenin 290/1 gërma “a” e Kodit të Procedurës Penale, në lidhje me nenin 66/b të Kodit Penal. Prej këtij arsyetimi të organit të akuzës del se sa pretendohet në kallzim se duhen hetuar edhe Sali Berisha e Ilir Meta, si organizatore te vjedhjeve të thesarit të shtetit, meqënëse kanë kaluar afro 11 muaj, nga 20 vjet qëështë afati i parashkrimit të veprës penale të parashikuar nga neni 136 dhe 25 i Kodit Penal “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimt”, ndjekja penale ndaj këtyre personave nuk mund të bëhet më. Në radhë të parë, një arsyetim i tillë i organit të Prokurorisë së Posaçme lë të kuptohet se personat e kallëzuar Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë kryer vjedhjen e thesarit të shtetit në bashkëpunim me të tjerë, por meqënëse ka 11 muaj që ka kaluar afati 20 vjeçar, bazuar në nenin 66 gërma “b” të Kodit Penal, ata nuk mund të ndiqen më penalisht se vepra penale e kryer prej tyre është parashkruar!
Anashkalimi i fakteve për Berishën dhe Metën
Në radhë të dytë, edhe nëse ndodhemi para parashkrimit të veprës penale të vjedhjes së thesarit të shtetit (neni 136 e 25 i Kodit Penal), nuk ndodhemi para parashkrimit të ndjekjeve penale për krimet e tjera që ata dyshohen se janë kryer dhe që janë të theksuara dhe të specifikuara me nenet përkatëse në kallëzimin penal, sikurse janë “Pastrimi i produkteve që rrjedhin nga një krim” (neni 287 i Kodit Penal, “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara” (Neni 79 i Kodit Penal) etj. Këto vepra penale nuk parashkruhen, ndërsa në mënyrë abuzive Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në vendimin e mosfillimit të procedimit penal kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës nuk i përmënd fare por i anashkalon qëllimshëm. Në radhë të tretë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duhet të filloj procedimin penal dhe të zhvilloj hetime të plota, të gjithanshme, duke administruar të gjitha provat që i kemi paraqitur, ato shkresore, videot dhe provat me dëshmitare, me qëllim që t’i japi në duar shtetit shqiptar, institucioneve të tij si dhe taksapaguesëve shqiptar vleftën reale të pakësimit të thesarit të shtetit nga vjedhja e kryer në dy raste të tjera në marsin e vitit 1997 dhe në dhjetorin e vitit 1999 prej “Bandës së armatosur” dhe “organizatës kriminale” që drejtonin organizatorët, frymëzuesit dhe përfituesit e krimeve të kryera prej kësaj bande të armatosur dhe prej kësaj organizate kriminale, duke filluar nga vjedhja e thesarit të shtetit, te vrasjet për të mbuluar autorët e kësaj vjedhje, deri te krimet vazhduese të “Pastrimit të produkteve që rrjedhin nga një krim”, të cilat edhe sot janë të dukshme me pastrimin e parave, me blerje të pasurive të palujtëshme si dhe me suvensionime të paligjëshme në formë “dhuratash” ndaj personave me të cilët këta dy persona të kallëzuar kanë krijuar marëdhënije të dyshimta.
SPAK “amniston” Berishën dhe Metën
Hetimi i plotë i çështjes, nxjerrja e personave që i kanë kryer këto krime, përgjegjësia e çdo njërit prej tyre, dëmi real që i ka ardhur shtetit, të cilin e nxjerrin një grup ekspertësh që caktohen prej Prokurorisë së Posaçme, do t’a çojnë pastaj Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në një vendimarrje ligjore. Nëse ndodhemi për të gjitha veprat penale të kryera para institutit të parashkrimit, parashikuar nga neni 66 i Kodit Penal, do të pushohet çështja për të gjithë personat nën hetim ose të marrë të pandehur. Me këtë rast shteti shqiptar do të njihet me autorët përgjegjës që i kanë shkaktuar dëmin e rëndësishëm ekonomik, dhe do të paraqesin në gjykimin e çështjes për pushimin e akuzës padinë civile në proçesin penal me qëllim që vjedhësit e thesarit të shtetit të kthejnë në buxhetin e shtetit sasinë e floririt të vjedhur. Ndërsa mënyra se si vepron Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke mos filluar procedimin penal, është në vetvete një “amnisti” që ajo u bënë personave përgjegjës të vjedhjes së thesarit të shtetit, çka në vetvete është e dënueshme.
Beqiri: Meta dhe Berisha po pastrojnë para
Në radhë të katërt, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duhet të filloj procedimin penal dhe të hetoj në mënyrë të plotë kallëzimin penal nr. 142/2022 sepse ndër vite, pas kryerjes së veprës penale të vjedhjes së thesarit të shtetit, personat e kallëzuar Sali Berisha dhe Ilir Meta, kanë pastruar produktet e kësaj vjedhje, duke i kthyer ato në pasuri të palujtëshme dhe në depozita bankare, të cilat i shfrytëzojnë sikur t’i kishin fryte prej të ardhurave të tyre të ligjëshme, në një kohë që ato janë produkte që rrjedhin nga një krim. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pasi të filloi procedimin penal duhet të vendos menjëherë sekuestrot mbi këto pasuri të shumta, në vlera miliona euro të këtyre dy personave të kallëzuar, me qëllim që të siguroj padinë civile të shtetit shqiptar në këtë proçes penal për të kthyer në arkën e shtetit të të gjitha atyre pasurive të palujtëshme dhe depozitave bankare të cilat nuk justifikohen me të ardhurat nga paga që kanë realizuar gjatë jetës së tyre Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Provat dhe faktet kundër Metës dhe Berishës
Ka prova dhe fakte të plota që Sali Berisha ka pastruar produktet që rrjedhin nga një krim duke krijuar pasuri, të cilat nuk justifikohen me të ardhurat e tij dhe të familjes së tij dhe për të cilat Prokuroria e Posaçme duhet të hetoj: Kështu, nëse në vitin e parë të deklarimit të pasurive në vitin 2003, Sali Berisha deklaroi një apartament në Rrugën. “L. Myzeqari”, pas vjedhjes së thesarit të shtetit dhe të korrupsionit si pushtetar i lartë i shtetit familja e tij ka të rregjistruara në Kadastrat e Shqipërisë23 (njëzetë e tre) apartamente me sipërfaqe nga 100-200 m2, një Vilë në Gjirin e Lalzit; si dhe pasuri të tjera të palujtëshme, si dyqane; Katin e 14-të të Pallatit pranë RTVSH, Rruga “Mustafa Matohiti”, të cilin e përdor për zyra; si dhe Llogaritë bankare në Tirana Bankë, Intesa San Paolo Bank, Raiffeisen Bankëtë cilat në total kapin shifrën e 2 miliard dollarëve. Dhe në këto shifra bëhet fjalë për pasuri të deklaruara, në një kohë që pasuritë e fshehura dhe të rregjistruara në emër të personave të tjerë, kapin shifra të frikshme. Ndaj edhe SHBA e shpallën atë “Non Grata” për korrupsion galopant ndaj pasurive kombëtare të shqiptarëve, të cilat nuk mund të “amnistohen” me një vendim mosfillimi të kundërligjshëm të Prokurorisë së Posaçme.
Pasuria marramendëse e Ilir Metës
Po kështu ka prova dhe fakte të plota që Ilir Meta ka pastruar produktet që rrjedhin nga një krim duke krijuar pasuri, të cilat nuk justifikohen me të ardhurat e tij dhe të familjes së tij dhe për të cilat Prokuroria e Posaçme duhet të hetoj: Vila në Golemështë blerë pas vjedhjes së floririt të Krrabës në shumën prej 60 mijë USD dhe në vitin 2006, Ilir Meta e shiti atë 300 mijë euro. Në vitin 2010 ka blerë një apartament në shumën prej 400 mijë euro tek Rruga e Barrikadave në Tiranë. Ilir Meta ka të regjistruara në kadastra edhe Vilë në Gjirin e Lalzit; Apartament banimi në Tiranë 212 m2, me verandë 97 m2 dhe garazh 139 m2; Apaartament banimi në Durrës; apartament banimi në Tiranë 99 m2; Apartament banimi në Tiranë 75 m2; apartament banimi në Tiranë 69 m2; Apartament banimi në Tiranë 103 m2; Apartament banimi në Tiranë 94 m2; Apartament banimi në Tiranë; Nësi tregtare 107 m2; Njësii tregtare 63 m2; Njësi tregtare 172 m2; Garazh 318 m2; Garazh 17 m2; Llogari bankare që llogaritën në 2,5 miliardë dollarë. Në këto pasuri dhe të ardhura nuk përfshihen edhe mjaftë të tjera që figurojnë në emër të personave të tjerë, ose të dhëna si dhuratë për arsye dhe interesa të dyshimta dhe të pista, të cilat gjenden të pasqyruara në qindra komente, video, shkrime etj në rrjetet sociale, gazeta e yoou tube, me citime emrash të përveçëm nëHotelin me 5 yje në Shkodër, vila dhe kalçetot e Xh.M etj etj, të cilat nuk mund të mbyllen me një mosfillim të procedimit penal nga ana e organit të akuzës, por duhen hetuar me objektivitet, drejtësi, bazuar në ligj, në fakt dhe në prova.
Ja çfarë kërkon Beqiri nga GJKKO
Një ndër pikat e tjera dhe të fundit ku bazohet Vendimi i prokurores së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar datë 07.10.2022 për mos fillimin e procedimit penal që ka të bëjë me kallzimin penal nr. 142/2022, është edhe argumenti se një pjesë e veprave penale të kallëzuara, nuk kanë qënë të parashikuara nga Kodi Penal në kohën kur ato janë kryer nga personat e kallëzuar. Më konkretisht në këtë vendim Prokurorja thekson: “Në favor të mosfillimit të ndjekjes penale është edhe argumenti se një pjesë e veprave penale të kallzuara nga shtetasi Idajet Beqiri nuk kanë qënë të parashikuara nga Kodi Penal, dhe referuar parimit të ligjshmërisë dhe efektit të ligjit penal në kohë, parime të sanksionuara në Kodin Penal (neni 2 dhe 3 i tij), nuk ka dënim pa ligj dhe askush nuk mund të dënohet për një vepër që sipas ligjit te kohës kur është kryer, nuk përbën vepër penale, procedimi penal nuk mund të filloj (citojmë këtu veprat penale të pretenduara nga kallezuesi “Krijimi, organizimi ose drejtimi i grupit të strukturuar penal për kryerjen e veprave penale. Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal etj).” Ky është një interpretim i gabuar i ligjit nga ana e organit të akuzës, dhe këta dy persona të dyshuar për kryerjen veprave penale për të cilat kallëzohen, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, duhet të ndiqen penalisht dhe të dënohen pasi neni 333 dhe 334 i Kodit Penal i vitit 1995 e në vazhdim ka patur të parashikuara “Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale” si dhe “Kryerja e krimeve nga banda e armatosur dhe organizata kriminale”. Bazuar sa sipër këta dy të dyshuar vjedhjen e thesarit të shtetit e kanë bërë përmes bandës së tyre të armatosur dhe organizatës kriminale dhe për vërtetuar këtë fakt, nëse do të thirrej për të bërë deklarime kallëzuesi, domethënë unë, Idajet Beqiri, përveç provave të paraqitura në kallëzim, do të jepja edhe mjaftë prova të tjera shkresore dhe me dëshmitarë okular, të cilët duhet të merren nën mbrojtje. Mbi bazën e sa theksuam më sipër i kërkojmë Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të vendosi Prishjen e Vendimit të prokurores së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Manjola Kajana datë 07.10.2022 për mos fillimin e procedimit penal që ka të bëjë me kallzimin penal nr. 142/2022 dhe kthimin e akteve Prokurorisë për të filluar procedimin penal dhe për të vazhduar hetimin e të kallëzuarve, pasi ka dyshime të arsyeshme dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore për t’i marrë ata si persona nën hetim, për t’i marrë të pandehur dhe për t’i çuar në gjyq për veprat penale të rënda që kanë kryer. PËR KËTO ARSYE: Bazuar në nenet 291 e vijues i Kodit të Procedurës Penale, KËRKOJMË prishjen e Vendimit të prokurores së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Manjola Kajana datë 07.10.2022 për mos fillimin e procedimit penal që ka të bëjë me kallzimin penal nr. 142/2022 dhe kthimin e akteve Prokurorisë për të filluar procedimin penal dhe për të vazhduar hetimin e të kallëzuarve, pasi ka dyshime të arsyeshme dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore për t’i marrë ata si persona nën hetim, për t’i marrë të pandehur dhe për t’i çuar në gjyq për veprat penale të rënda që kanë kryer. Kallëzuesi: Idajet Beqiri.