Categories
Uncategorized

Trondit Ardian Olldashi: Ja kurthi që Sali Berisha i ngriti vëllait tim dhe çfarë ndodhi mbrëmjen e 26 qershorit të vitit 2013

Deklarata e Sali Berishës se Sokol Olldashi humbi përballë Lulzim Bashës, pasi gaboi duke mos u mbështetur strukturat e partisë dhe jo tek anëtarësia, për vëllanë e të ndjerit, Ardian është një gënjeshtër. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ardian Olldashi u zbuloi dje se Berisha ka kërcënuar çdo kryetar dege të PD që të mos mbështesin vëllanë e tij në garën për kreun e Partisë Demokratike, teksa kujton edhe një episod se si Basha i ka shkuar Berishës në zyrë që t’i kërkonte që të tërhiqej nga gara, por ish-kryeministri e ka refuzuar. Sipas zotit Ardian Olldashi, Berisha ka zgjedhur t’i telefonojnë vetë asokohe vartësit e tij në degët e PD, fakt ky që tashmë dihet botërisht dhe ka dëshmitarë. “Nuk është e vërtetë! Ti e di mirë që Koli fitonte me çdo formulë. Të mërkurën në darke, pra ne datën 26.06.2013, Basha të erdhi ne zyre gati duke qarë dhe u këshillua me ty për një tërheqje të mundshme të tijën. Për ç‘arsye? Për arsyen se të dhënat që vinin e jepnin Kolin në avantazh. Ti ke marr personalisht në telefon pothuajse çdo kryetar nëpër rrethe. Natyrisht jo për t’i uruar natën e mirë, sepse në fakt ishte darkë, por për t’i kërcënuar me shprehje që më mirë mos t’i përsërisim. Ty dhe jo vetëm ty të vjen spontanisht pyetja: Nga i ditkam unë këto gjëra? I di nga ata që atë darkë ishin prezent në zyrën tende. Fatkeqësisht politika është i vetmi zanat përzultatet duken”, shkruan vëllai i Sokol Olldashit. Pra, ky i fundit jovetëm që tregon se si u vodhën zgjedhjet për kreun e PD me urdhër të Berishës në vitin 2013, por zbulon se krerët e degëve u shantazhuan dhe kërcënuan nga ish-kryeministri Berisha, me qëllim që ish-deputetit të ndjerë, Sokola Olldashi të humbte garën përballë Lulzim Bashës.

Ja si Sokol Olldashi akuzoi Berishën për manipulim

Por në një situatë ku tensionet politike dhe akuzat për vjedhjen e votave janë në maksimum, gazeta “SOT” po risjell sot për lexuesin një deklaratë të të ndjerit Sokol Olldashi. Deklarata vjen pas momentit kur ai humbi zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike, që u fituan nga Lulzim Basha. Por, për të emëruar Bashën në krye të PD, Berisha duhet të kalonte një pengesë të fortë. Ai ishte Sokol Olldashi, personi që përbënte rrezikun kryesor për Bashën e brishtë, i cili nuk kishte asnjë lidhje me bazën, por kishte hyrë në PD dhe kishte bërë karrierë si shok i Argitës. Berisha dhe Basha u angazhuan në manipulimin e zgjedhjeve në PD, duke shpallur Bashën fitues përballë Olldashit. Manipulimi solli reagimin e fortë të Olldashit, në atë kohë i cili tha: “Përzgjedhja e kryetarit të ri të PD-së u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar. Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD”. Olldashi deklaroi se këshilltarët e Sali Berishës dhe shumë drejtues degësh bënë fushatë për Lulzim Bashën. “Procesi, për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, – gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je -, u përjashtua – siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Shkodër e Korçë – apo u pushua nga puna, – siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë. Intimidimi u kurorëzua me fletën e numerizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit. Nga ana tjetër, tensionimi i strukturave ishte tërësisht i panevojshëm”. Në fund, Olldashi u dha një mesazh Berishës dhe Bashës. Ai tha se nuk do të largohej nga PD-ja. Kjo do të thoshte se Olldashi do të ishte përballë Bashës sa herë që Basha të humbte zgjedhjet. Disa javë më vonë, Olldashi ndërroi jetë në mënyrë të mistershme.

Çfarë tha Berisha për Olldashin?

Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha ka krahasuar dy ditë më parë të ndjerin Sokol Olldashi me ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive Berisha theksoi se Olldashi ka bërë gabim që ka dalë me mbështetjen e strukturave, ndryshe nga Basha që doli me anëtarët. Madje, Berisha theksoi se është habitur me këtë gabim të bërë nga Olldashi, duke pasur parasysh aftësinë e tij. “Sokol Olldashi ishte më epror se Lulzim Basha, pa diskutim. Por Sokol Olldashi, megjithëse politikan i mençur dhe i vendosur, në mënyrë të habitshme për mua, bëri një gabim thelbësor në fushatën e Sokolit. Gabimi i tij ishte që mua më mbështesin strukturat, ato ishin pakica. Sokoli ishte një nga më të aftit dhe ishte i rritur në Partinë Demokratike, nuk arrita kurrë ta kuptoj se si doli me këtë tezë. E hapi fushën. Basha doli me tezën, jam me anëtarët. Kur e vendosa një anëtar një votë, nuk kishte dalë asnjë kandidat zotëri”, deklaroi ish-kryeministri Berisha. Kujtojmë se në garën për kreun e Partisë Demorkatike në vitin 2013, është akuzuar shpesh herë ish-kryeministri Sali Berisha se ka ndërhyrë me qëllimin për të vendosur në vendin e tij, Lulzim Bashën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *