Qytetarët kanë shprehur hapur me votë se sa të korruptuar janë politikanët shqiptarë. Përballë zhvillimeve të forta politike, zërin për të shprehur hapur mendimin e tyre e jep gazeta “SOT”. Media jonë online ka zhvilluar një sondazh ku pyetja ishte se “kush është politikani më i korruptuar”? Ish-presidenti Ilir Meta është shpallur në sondazhin e realizuar nga Agjencia e Lajmeve Sot Neës” si politikani më i korruptuar në Shqipëri. Në përmbyllje të sondazhit të organizuar nga media jonë online, ku kanë votuar rreth shtatë mijë persona, Ilir Metaj ka marrë 40 % të votave të lexuesve. Në këtë sondazh për politikanin më të korruptuar në Shqipëri, Meta rezulton në krye të listës me 9 emra.
Ja si janë ndarë votat e 7 mijë lexuesve
Sipas renditjes së politikanëve më të korruptuar, emri i dytë në listë vjen Sali Berisha. Që prej nisjes së angazhimit të tij në fund të viteve ’80, Sali Berisha u bë pjesë e pandarë e politikës në vend, duke i provuar të gjitha pozicionet politike, që nga deputet deri në krye të Shtetit, si President i Republikës. Gjithë vitet e tij në politikë ai është njollosur me skandale shumë të rënda dhe në fund u shpall “non grata” nga SHBA. Në sondazhin e gazetës “SOT”, Berisha ka marrë 29 % të votave. Surprizë në renditje është kryeministri Edi Rama. Ai qëndron i treti në listë. Kreu i qeverisë ka marrë 14 % të votave nga lexues të faqes, ku vlen të përmendim se shumica e qytetarëve, ndjekës të rregullt të gazetës “Sot”, janë të orientuar majtas në bindjet politike. Ky pozicionim tregon shumë, pasi kjo zbulon se popullariteti i Edi Ramës po vazhdon të bjerë. Edhe pse fitoi mandatin e tretë, qytetarët e kanë votuar si politikanin e tretë më të korruptuar në Shqipëri.
Më pak të votuarit
Pas Ramës, në vend të katërt ndodhet Erion Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës ka marrë 6 % të votave. Pas Veliajt, në vend të pestë renditet Belinda Balluku. Zv.kryeministrja ka marrë 4 % të votave si politikania më e korruptuar. Me 3 % të votave vjen Arben Ahmetaj. Në fund renditet, ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha me 2 % të votave. Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca me 2 % të votave dhe Niko Peleshi me 1 % të votave.
Pse Ilir Meta kryeson listën?
Sa herë flitet për shembjen e murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, për arrestimin e ‘peshqve të mëdhenj’, për luftë kundër korrupsionit në nivele të larta, për pastrim parash, për pasuri të paligjshme, qytetarëve në mendje u vjen emri i Ilir Metës dhe votat e tyre tregojnë hapur urrejtjen që kanë për ish-presidentin. Ilir Meta renditet mes politikanëve me pasuri sheikësh. Nëse bëjmë një veting si ai i drejtësisë, presidenti gjithë jetën ka pasur vetëm rrogën e tij dhe të bashkëshortes, por ka në pronësi vila, apartamente, për të mos harruar shpenzimet mijëra paund çdo vit për shkollimin e fëmijëve në Londër. Pra ky votim i qytetarëve nuk përbën habi, pasi Meta është politikani më i lakuar dhe akuzuar në Shqipëri, emër i së cilit shfaqet dhe përmendet kudo ku ka afera korruptive, por edhe ngjarje me sfond kriminal, të cilat janë konsumuar gjatë këtyre 30 vitesh demokraci.
Paditë në SPAK për Ilir Metën
Nga ana tjetër, Ilir Metën edhe pse nuk e vret perceptimi i qytetarëve, kur bëhet fjala për SPAK gjërat ndryshojnë. Për ish-presidentin kemi 5 padi kundër tij, të paktën publike, pasi mund të ketë dhe të fshehta. Ish-deputeti Halit Valteri, ka bërë dy padi kundër tij. Një për lobimet në SHBA dhe një për fshehje pasurie. Kemi një padi të gazetarit Adriatik Doçi për korrupsion. Po ashtu avokati Idajet Beqiri e paditi për ndërhyrjet estetike. Ndërkohë është dhe një padi e juristit Romeo Kara e transferuar nga Krimet e Rënda për aferën CEZ-DIA.
Akuzat për Ilir Metën
Gjithashtu Ilir Meta rezulton spiun i Sigurimit të Shtetit, fakt që për 32 vite e ka mbajtur të fshehtë. Madje Ilir Meta ka spiunuar shokun e tij të ngushtë, i cili të vetmin gabim që kishte bërë ishte se po mendonte të arratisej nga Shqipëria gjatë regjimit komunist. Meta ka bashkëpunuar me ish-Sigurimin famëkeq dhe ka njoftuar për planin e shokut të tij. Pra si përfundim në reagimet e qytetarëve, ky është Ilir Meta, i cili 30 vite nuk i ka thënë kurrë “mirëmëngjes” punës, por u ka thënë “mirëmëngjes” parave që paguajnë shqiptarët për rrogën e tij, për sigurimet e tij dhe për luksin e shërbimet që duhet të ketë, pasi gjithë jetën ka qenë me makina, i shoqëruar nga Garda, me jetë luksoze dhe në institucione shtetërore. “Ilir Floriri” ka ngelur pseudonimi që i vendosen ish-presidentit tonë, kreut të Partisë së Lirisë.